Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka kërkuar nga opozita që, në vend se të kundërshtojë emrin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, të bashkëpunojë për të siguruar që nënkryetari të mos jetë nga Lista Serbe.

Pas dështimit të 11-të për konstituimin e Kuvendit, Murati ka theksuar para mediave se qëndrimi i LVV-së dhe partnerëve të saj është që Nenad Rashiq të përfaqësojë komunitetin serb në postin e nënkryetarit.

“Më e pakta që mund të bëjmë është që nënkryetari i Kuvendit të mos zgjidhet nga Lista Serbe. Për këtë arsye kemi propozuar Nenad Rashiq si përfaqësues i komunitetit serb. Opozita në vend se të kundërshtojë për emrin e Albulena Haxhiut për kryetare e Kuvendit, të na bashkohet që të sigurohem që nënkryetari të mos vijë nga ata që nuk e pranojnë Republikën e Kosovës”, ka deklaruar Murati.

Ai ka shtuar se Vetëvendosje ka kërkuar një marrëveshje të plotë për emrat e kryesisë së Kuvendit.