Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, komentoi ftesën e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për takim me partitë politike me qëllim tejkalimin e ngërçit politik. Ai tha se ftesa do të shqyrtohet pasi të merret një vendim nga grupi parlamentar i Vetëvendosjes.

“Duhet me pa se çka ka vendos grupi parlamentar. Gjithsesi, do të shqyrtohet ftesa. Shihet se për çka është dhe do të njoftojmë”, u shpreh Murati.

Ndryshe, sot në orën 10:00 deputetët e Kuvendit janë mbledhur për vazhdimin e 15-të me radhë të seancës konstituive. Ndërkohë që asnjë nga partitë parlamentare nuk ka treguar për ndryshim qëndrimesh. 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të fillojë konsultimet me partitë politike në përpjekje për të konstituuar Kuvendin e Kosovës.

Këtë e konfirmoi këshilltari për media i presidencës, Bekim Kupina.

“Presidentja Osmani do të fillojë një seri konsultimesh rreth çështjes së konstituimit të Kuvendit nga data 15 maj. Ftesat tashmë janë dërguar për takimet e para dhe po presim konfirmimet”, tha Kupina.

Më 11 maj, për të katërmbëdhjetën herë më radhë, deputetët dështuan të konstituojnë Kuvendin e Kosovës.

Derisa partitë e tjera politike nuk përkrahin zgjedhjen e Albulena Haxhiut në pozitën e kryetares së Kuvendit, Lëvizja Vetëvendosje që fitoi zgjedhjet, vazhdon të insistojë se nuk do të propozojë emër tjetër për kryeparlamentar.

Sa herë që emri i Haxhiut u hodh në votim nuk mori votat e nevojshme për tu zgjedhur në këtë pozitë.

Ditë më parë kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, propozoi që për kryeparlamentarin të votohet përmes votës së fshehtë. Por as për këtë proces, në seancat e kaluara nuk u siguruan votat e nevojshme dhe procesi ka ngecur.