Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pas njoftimit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, lidhur me përkrahjen e operatorëve në procesin e financimit për 15 autobusë elektrikë dhe dy tramë.
Rama kishte publikuar në Facebook edhe pamjet se si pritet të duken autobusët rinj në kryeqytet.
Murati ka deklaruar se shërbimet e transportit publik përmes operatorëve privatë mund të realizohen vetëm nëse ndiqen procedurat e parapara me Ligjin për Partneritet Publiko-Privat, duke siguruar transparencë dhe mbrojtje të parasë publike.
Sipas tij, Komuna e Prishtinës nuk ka respektuar procedurat ligjore të detyrueshme, prandaj çdo marrëveshje apo kontratë e nënshkruar në lidhje me këtë projekt është në shkelje të ligjit.
Ai ka kërkuar që organet e rendit të ndërhyjnë sa më shpejt për ta trajtuar rastin dhe për të parandaluar, siç tha ai, keqpërdorimin e mundshëm të parasë publike.
