Murati: Për t’u funksionalizuar shteti, Kushtetuta e Kosovës duhet të ndryshojë

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, vlerëson se Kushtetuta e Kosovës, që burimin e ka te Pakoja e Ahtisaarit, duhet të ndryshojë. Ai thekson se detyrë primare e politikës së Kosovës do të duhej të ishte të gjente rrugën për ta ndryshuar këtë kushtetutë e jo për ta betonizuar atë

Valon Murati, Lëvizja për Bashkim

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, vlerëson se Kushtetuta e Kosovës që burimin e ka te Pakoja e Ahtisaarit, duhet të ndryshojë, sepse sipas tij shteti ka mungesë të funksionalitetit për shkak të aranzhimeve kushtetuese.

Ai thotë se privilegjet të cilat iu kanë dhënë pakicës serbe kanë bërë që në vazhdimësi, edhe nën ndikimin e Beogradit zyrtar, të shfrytëzohen për ta defunksionalizuar shtetin e Kosovës.

“Sidoqoftë e vërteta duhet të thuhet: Kushtetutat nuk janë të shenjta! Për t’u funksionalizuar shteti i Kosovës, kjo kushtetutë duhet të ndryshojë! Rruga e vetme është rikthimi në tryezën e bisedimeve të projektit të vetëm të drejtë dhe që zgjidh problemin shqiptaro-serb në Ballkan atë të ripërcaktimit të kufijve”, ka shkruar Murati në Facebook.

Me rastin e 15-vjetorit të ratifikimit të Kushtetutës së Kosovës, Murati ka thënë se “në vend se të shfrytëzoheshin bisedimet me Serbinë për të krijuar rrethana për ndryshimet kushtetuese, përmes së cilave do të hiqeshin privilegjet bllokuese të përfaqësuesve politik të pakicës serbe, ne jemi dëshmitarë të një marrëveshjeje me Serbinë, e cila do ta rëndojë funksionalitetin e shtetit të Kosovës duke u shtuar peshë këtyre privilegjeve bllokuese kushtetuese përmes krijimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe si dhe një pozite të privilegjuar juridike për Kishën Ortodokse Serbe”.

Ai thekson se detyrë primare e politikës së Kosovës do të duhej të ishte të gjente rrugën për ta ndryshuar këtë kushtetutë e jo për ta betonizuar atë.

“Kështu tani do të ballafaqohemi me një trinom të mekanizmave tanë të brendshëm përmes së cilës Serbia do ta luftojë funksionalitetin e republikës sonë. Në vend të kësaj politika jonë dhe në rastin konkret, qeveria e prirë nga Albin Kurti, pa përjashtuar dëmet e shkaktuara edhe nga qeveritë paraprake, ia ka komplikuar edhe më tej jetën funksionimin shtetit të Kosovës”.

Ai potencoi se bisedimet me Serbinë kanë qenë mundësi për të hapur rrugën që Kosova të vendoste vetë se çfarë kushtetute do të ketë pa kufizimet e tanishme.

Por siç thotë Murati, për momentin ky rast u lëshua.

“Në vend se të insistohej në reciprocitetin me Kosovën Lindore, u insistua që njohja të jetë në qendër të bisedimeve. Në vend se të insistohej në idenë e ripërcaktimit të kufijve u insistua në integritet territorial. Në vend se të insistohej në zgjidhje që hapin rrugë ndryshimeve kushtetuese dhe funksionalitetit të shtetit të Kosovës u insistua në mos ndryshimin e saj. Pra gjithandej insistime populliste kundër zgjidhjeve funksionale. Dhe në fund as njohja nuk erdhi dhe zgjidhjet që po vijnë e komplikojnë edhe më tej funksionalitetin e shtetit tonë”, tha ai.

Të dielën, janë bërë 15 vjet nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Kushtetuta e Kosovës është ratifikuar më 9 prill 2008, ndërsa ka hyrë në fuqi më 15 qershor 2008.

Kushtetuta është akti më i lartë juridik, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit.

Në Kushtetutën e Kosovës një pjesë e madhe rrjedh nga Plani i Martti Ahtisaarit, duke u dhënë kështu të drejta specifike grupeve minoritare dhe një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Kushtetuta e definon Kosovën si një shtet me pikëpamje neutrale ndaj fesë – neni 8, ka 14 kapituj dhe 162 nene.

Shija e redaktorit

Raporti për lirinë e medias vlerësohet alarm për shoqërinë dhe...

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit vendi ynë shënoi rënie për 19 vende në indeksin e lirisë së medieve nga “Reporterët Pa Kufij”....

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Të fundit nga rubrika