Rreth 280 mijë është numri i pensionistëve të Kosovës që deri më 15 prill të vitit 2022, kanë përfituar nga pakoja e re mbështetëse e cila parasheh ndarjen nga 100 euro.
Kështu ka bërë të ditur ministri i Financave, Hekuran Murati, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.
Më 12 prill të këtij viti, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që të ndajë nga 100 euro për punëtorët e sektorit publik dhe atij privat dhe kategoritë e tjera, si pensionistët dhe studentët e universiteteve publike.
“Ndërsa sot, në kuadër të pakos mbështetëse, rreth 26 mijë familje në skemën e ndihmës sociale do të marrin dyfishin e vlerës, tashmë të rritur”, ka shkruar Murati.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë konferencës së përbashkët me ministrin Murati, më 12 prill, kishte deklaruar se për pensionistët dhe punëtorët e sektorit publik shtesa prej 100 eurosh për muajin prill mund të ekzekutohet menjëherë, ndërkaq për punëtorët e sektorit privat dhe studentët nevojitet që të hapet procesi i aplikimit.

“Për muajin prill do të dyfishojmë vlerën e asistencës sociale për të gjitha familjet që përfshihen në asistencë sociale. Pensionistëve do t’ua ndajmë edhe nga 100 euro shtesë për muajin prill, për të gjitha shtresat”.
“100 euro do t’i ndajmë për punëtorët e sektorit privat, do të ndajmë shumën prej 100 eurosh edhe për mbi 80 mijë zyrtarë publikë. Po ashtu, të gjithë studentët do të përfitojnë nga 100 euro. Për shtresat e cenueshme do të shpërndajmë mbi 80 mijë euro”, kishte thënë Kurti në konferencë për media.
Kurti kishte theksuar se nga kjo shumë do të përfitojnë rreth 800 mijë qytetarë, derisa kishte bërë të ditur se do të miratohet projektligji për rritjen e pagës minimale dhe heqjen e tatimit në 250 euro pagë.

Megjithatë, ndarja e 100 eurove nga qeveria për këto kategori është konsideruar si (mos) ndihmesë ndaj qytetarëve, dhe ndihmë ndaj tregtarëve.
Kështu kishte thënë deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, në një konferencë për media, ku ka folur për gjendjen ekonomike, inflacionin dhe bllokimin e investimeve kapitale përmes institucioneve të pavarura.