Murati: Thirrjet për ulje të akcizës së naftës janë thirrje për trashje të fitimit të tregtarëve

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se Qeveria e tanishme në pushtet nuk e ka ngritur asnjë taksë të vetme, e as akcizën e naftës. Sipas tij, rritja e çmimit të naftës vjen si rezultat i rritjes së çmimit të furnizimit nga importi, por edhe për shkak të rritjes së marzhës së fitimit nga tregtarët e naftës

Ministri i Financave, Hekuran Murati

Ministri i Financave, Hekuran Murati, pas thirrjeve nga opozita për ulje të akcizës së naftës, ka thënë se që nga marrja e mandatit, kjo Qeveri nuk e ka ngritur as edhe një taksë të vetme, as TVSH-në, e as akcizën e naftës.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se nuk ka as edhe një veprim të vetëm të qeverisë, që do të kishte ndikuar në rritjen e çmimit të naftës.

Sipas tij, rritja e çmimit të naftës vjen si rezultat i rritjes së çmimit të furnizimit nga importi, por edhe për shkak të rritjes së marzhës së fitimit nga tregtarët e naftës, sidomos tani kur pritet ardhja e mërgatës.

“Prandaj po punojmë për një vendim që cakton çmim tavan dhe marzhë maksimale të fitimit, sepse në situata të tilla të jashtëzakonshme, është e domosdoshme që Qeveria të ndërhyjë në treg për stabilizuar çmimet, gjë që parashihet edhe me legjislacionin në fuqi”, ka thënë Murati.

Ai ka thënë ndër të tjera se, thirrjet e opozitës që Qeveria të ulë TVSH-në apo akcizën në naftë ose produkte tjera, nuk i shërbejnë interesit të qytetarëve.

“Përkundrazi, një veprim i tillë vetëm sa do të trashte fitimet e tregtarëve në njërën anë, dhe do të kufizonte mundësitë e shtetit që t’i mbështesë familjet në nevojë në anën tjetër”, ka shkruar Murati.

Sipas Muratit, ulja e TVSH-së apo akcizës në situata inflacionare, jo domosdo reflektohet në zbritje të çmimit te konsumatori.

“Dëshminë më të mirë për këtë e kemi parë përgjatë tërë vitit të kaluar, kur me Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike të Qeverisë Hoti, TVSH-ja për bizneset e gastronomisë ishte ulur nga 18% në 8%, për tërë vitin 2021. Përkundër kësaj, për asnjë moment çmimet e kafesë dhe produkteve tjera të gastronomisë nuk u zbritën, sepse e tërë ulja e TVSH-së u kthye në marzhë shtesë të fitimit për bizneset. Pra, nga ulja e TVSH-së, konsumatori s’kishte fituar asgjë, shteti kishte humbur tatime që përndryshe do t’i mblidhte, dhe kësisoj shteti kishte më pak buxhet për të ndihmuar të varfërit”, ka shkruar Murati.

“Pikërisht këtë efekt patëm paralajmëruar asokohe në 2020, sa ishim si opozitë në Kuvend dhe teksa po diskutohej për Ligjin për Rimëkëmbje. Ashtu edhe ndodhi. Situatë dhe sjellje të ngjashme ka edhe tani në vendet ku është ulur akciza e naftës nga shteti. Zbritja për konsumatorin, në rastin më të mirë ka zgjatur disa ditë, dhe pastaj çmimet janë ringritur dhe janë kthyer pothuajse në nivelin para uljes së akcizës”, ka shtuar më tutje Murati.

Sipas tij, tani në Gjermani po diskutohet se si të aplikohet taksa speciale për fitimet e kompanive të naftës, të cilat kanë shfrytëzuar uljen e akcizës nga shteti për të trashur marzhën e fitimit për vete, duke ringritur çmimet vetëm pak ditë pas zbritjes fillestare.

Ndërsa sa i përket opozitës ai ka thënë se “askush nuk mund të më bindë, se ata nuk i dijnë këto fakte që prezantova më lart. Së paku nga shkollat që kanë kryer për ekonomi, do të duhej t’i dinin. Mirëpo, çështja qëndron diku tjetër”.

Sipas Muratit, nuk është hera e parë që në emër të dhembshurisë për qytetarët, partitë e gardës së vjetër me para të buxhetit tentojnë t’u bëjnë favore bizneseve të caktuara.

“E kemi rastin e heqjes së taksës minerare për Ferronikelin dhe për gurthyesit ku buxheti ishte dëmtuar më shumë se 15 milionë euro, e kemi pagesën e 60 milionë eurove me pretendimin se po mbështesin punëtorët për pandemi e në fakt më së shumti përfituan supermarketet, dhe kemi shumë vendime tjera që kanë dëmtuar buxhetin e kanë rrezikuar bankrotimin e shtetit, gjithnjë duke u thirrur në emër të qytetarëve”, ka theksuar ai.

Ministri ndër të tjera ka thënë se, ngjashëm edhe tani, opozita në emër të qytetarëve, po kërkon që shteti të heqë dorë nga të hyrat e taksave, por qëllimi është te trashja e fitimit për tregtarët.

“Deri më tani, çdo taksë që ne kemi mbledhur e kemi kthyer te qytetari. Kështu edhe do të vazhdojmë, sepse për dallim nga ata që ishin, kjo Qeveri është në anën e qytetarëve”, ka përfunduar minstri Murati.

Ndërsa, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se të hënën e 13 qershorit ka dorëzuar në Kuvend, kërkesën për debat parlamentar dhe rezolutën me kërkesë të njëjtë si 100 ditë më parë, për reduktimin e akcizës në derivate dhe heqjen e TVSH-së në produkte esenciale.

Shija e redaktorit

Lansohet platforma e-Komuna, Kurti: Drejt një qeverisjeje digjitale me fokus...

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore...

ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të...

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë përfundon këtë të premte, pas fillimit të tij më 5 prill, rezultatet preliminare të të cilit pritet...

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Të fundit nga rubrika