Murati thotë se LDK në 2017-ën s’i la zyrat për Kushtetutën, por e dinin që s’janë më në pushtet
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pas deklarimit te ish-kryeministrit Isa Mustafa, lidhur me tërheqjen e ministrave të LDK-së nga postet qeveritare pas rrëzimit të Qeverisë në maj të vitit 2017. Përmes një postimi në Facebook, Murati ka kujtuar se Qeveria Mustafa ishte rrëzuar me mocion mosbesimi më 10 maj të atij […]
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pas deklarimit te ish-kryeministrit Isa Mustafa, lidhur me tërheqjen e ministrave të LDK-së nga postet qeveritare pas rrëzimit të Qeverisë në maj të vitit 2017.
Përmes një postimi në Facebook, Murati ka kujtuar se Qeveria Mustafa ishte rrëzuar me mocion mosbesimi më 10 maj të atij viti – një mocion i mbështetur edhe nga partneri i koalicionit, PDK-ja.
Ai ka thënë se pas kësaj, brenda LDK-së kishte pasur diskutime nëse të gjithë ministrat duhej të tërhiqeshin menjëherë nga pozitat.
Mirëpo, ai ka theksuar se për shkak të përvojës së vitit 2010 – kur pas largimit nga Qeveria ishin akuzuar për braktisje të institucioneve – LDK kishte vendosur që të qëndronte deri në mbajtjen e zgjedhjeve.
“Të gjendur përballë kësaj situate e të tradhtuar nga partneri i koalicionit, në LDK asokohe ishte diskutuar nëse të gjithë ministrat e LDK-së duhej të tërhiqeshin nga postet qeveritare, menjëherë pas mocionit. Në një situatë të ngjashme, kur LDK kishte dalë nga Qeveria në vitin 2010 pas dorëheqjes së Presidentit Sejdiu, partia ishte akuzuar se kishte braktisur institucionet. Duke e marrë parasysh reagimin e publikut në situatën e vitit 2010, LDK kësaj radhe kishte vendosur që ministrat të qëndrojnë nëpër pozita deri në përfundim të zgjedhjeve – që të mos akuzoheshin për braktisje të institucioneve”, ka shkruar ai.
Ai ka theksuar se në zgjedhjet e 11 qershorit 2017, LDK kishte dalë e treta pas koalicionit PAN dhe Lëvizjes Vetëvendosje, prandaj nuk ishte në plan për të vazhduar në qeverisje.
“Kjo ka qenë arsyeja pse ministrat e LDK-së kishin liruar zyret, sepse ishin të shkarkuar nga Kuvendi, dhe nuk pritej që do të vazhdonin në qeverinë e ardhshme. Jo për shkak të nenit 72 të Kushtetutës”, ka shkruar tutje Murati.















