Departamenti amerikan i Shtetit (DASH), ka kritikuar mbylljen e gjashtë njësive të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë në veri të Kosovës, duke e cilësuar veprimin si të pakoordinuar dhe nxitës të tensioneve.

Lidhur me këtë, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se nuk është në dijeni të detajeve rreth reagimit të DASH-it, derisa ka theksuar se çdo veprim është i bazuar mbi ligjshmërinë dhe shtrirjen e saj në çdo cep të vendit.

“Nuk jam në dijeni për detaje megjithatë çdo vendim është i bazuar mbi ligjshmërinë dhe shtrirjen e ligjshmërisë në çdo cep të vendit. Nuk është që ka ndodhur dje ai aktivitet, përfaqësuesi i Beogradit në dialog, kishte thënë që këto zyra kanë filluar aktivitetin në vitin 2018 është fakt interesant dhe i rëndësishëm sepse kemi të bëjmë që ka ndodhur gati gjashtë vite më herët”, ka deklaruar Murati.

“Ka pasur dyshim të bazuar se po zhvillohet aktivitete financiar në kundërshtim me ligjin… Edhe po të kishte licencë duhet të sigurohemi që dihet kush janë përfituesit fundor dhe mjetet të përdoren për   qëllime të ligjshme. Të gjitha këto i takojnë organeve të rendit. Por dyshimi i bazuar ka qenë që është zhvilluar aktivitet pa licencat e nevojshme financiar pastaj u takojnë organeve të rendit të ofrojnë prova për më tutje sesi është bërë përdorimi”, ka deklaruar tutje Murati.

Po ashtu, në reagimin e DASH-it, kërkohet që Kosova të angazhohet konstruktivisht në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

ShBA-ja kritikon ashpër mbylljen e degëve të bankës serbe në veri të Kosovës

Policia e Kosovës ka njoftuar se operacioni për mbylljen e njësive të kësaj banke u krye në bashkëpunim me Bankën Qendrore të Kosovës dhe Administratën Tatimore të Kosovës dhe se synimi ishte “vendosja e rendit dhe ligjshmërisë”, duke e quajtur Bankën Postare Kursimore në Veri të vendit, ilegale”.

Policia ka thënë se janë konfiskuar “rreth një milionë e 600 mijë euro, 74 milionë e 700 mijë dinar, 19 mijë e 500 franga, 13 mijë e 800 dollar amerikan, 40 dollar australian si dhe dokumente dhe prova tjera”.