Analisti politik, Imer Mushkolaj, e ka kritikuar ashpër Lëvizjen Vetëvendosje, në lidhje me akuzat e kryeministrit Albin Kurti, ndaj kryeprokurorit Blerim Isufaj.

Mushkolaj ka thënë se deklaratat e Kurtit, përbëjnë ndërhyrje në drejtësi.

“Duke e sulmu kryeprokurorin, është ndërhyrje, nuk mundet me shku me vra. Kjo është ndërhyrje”, ka thënë ai.

Mushkolaj u shpreh se VV-ja, vepron me standarde të dyfishta, teksa e përmendi arrestimin e ish-drejtorit të KEK-ut, i cili po ashtu ishte ish-shef i komitetit për energji të VV-së.

“I keni dy standarde, kur s’ju pëlqen është i keq. Ua kanë arrestu anëtarin e partisë, a keni cka me thënë, skandal. Shefin e komitetit për energji, ish-shefin”, ka thënë ai.

Atij iu kundërpërgjigj, deputetja e VV-së, Fitore Pacolli, e cila tha se ndërhyrje ka pasur në të kaluarën, dhe se tani VV-jë është duke tentuar ta reformojë sistemin.

Sipas saj, ka rezistencë të ish-qeveritarëve që ky reformim të mos ndodhë.

“Ndërhyrjja ka ndodhë, kur në rastet kriminale i kanë deviju provat dhe personat kanë dalë të pafajshëm. Ka rezistencë prej sistemeve prej qeveritarëve që i kanë kontrollu këto sisteme, edhe këtu ka rezistencë, nuk është lehtë të reformohet sistemi”, ka thënë ajo.