Eksperti i sigurisë, Agim Musliu ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit serb të mbrojtjes, i cili sot akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për tentim destabilizimi në rajon.

Musliu e ka quajtur këtë deklaratë “llum propagandistik nga Beogradi” dhe ka theksuar se Serbia, me në krye pasuesit e Sllobodan Millosheviqit, vazhdon të jetë burimi kryesor i rrezikut për paqen në Ballkan.

“Mos të harrojmë se është Serbia ajo që orkestroi dhe urdhëroi sulmin terrorist në Banjskë, me ç’rast kreu agresion kundër sovranitetit të Republikës së Kosovës”, shkruan Musliu në Facebook.

Ai ka përmendur po ashtu harmonizimin e politikave të jashtme dhe të mbrojtjes mes Serbisë dhe Federatës Ruse, si dëshmi se Beogradi ndjek një agjendë të rrezikshme për stabilitetin e rajonit.

“Serbia ka përgjegjësi historike për luftërat në Slloveni, Kroaci, Bosnjë e Kosovë, të shënuara nga gjenocidi, spastrimi etnik dhe shkelje masive të të drejtave të njeriut”, shkruan tutje Musliu.

Ai ka përkujtuar pasojat e nacionalizmit serb në vitet ’90, duke përmendur mbi 150 mijë të vrarë, më shumë se katër milionë të zhvendosur dhe dëme që kalojnë vlerën e 300 miliardë dollarëve.

Në fund, Musliu ka theksuar se ndjekësit besnikë të Millosheviqit si Bratisllav Gashiq dhe Aleksandar Vuçiq, “nuk kanë asnjë të drejtë morale e historike të flasin për Kosovën”.