Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka kërkuar që ndërtesa e Qeverisë së Republikës së Kosovës të ndriçohet urgjentisht me mesazhin “JO NË EMRIN TIM!”, lidhur me vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë.
Përmes një postimi në Facebook, Musliu ka thënë se vendimi i gjykatës nuk duhet t’i atribuohet popullit të Kosovës dhe se, sipas saj, nuk përfaqëson sakrificën e atyre që luftuan për lirinë e vendit.
“KËRKOJ URGJENTISHT që ndërtesa e Qeverisë së Republikës së Kosovës të ndriçohet me logon:
JO NË EMRIN TIM!
Vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë nuk guxon ti atribohet popullit te Kosovës.
Nuk është në emër të atyre që luftuan për lirinë e Kosovës.
Nuk është në emër të atyre që humbën më të dashurit e tyre.
Nuk është në emër të sakrificës që solli lirinë.
Dhe mbi të gjitha, nuk duhet të lejojmë që një vendim gjyqësor të shkruajë historinë tonë në emër të një populli që e di se çfarë ka përjetuar.
JO NË EMRIN TIM!”, ka shkruar Musliu.