Zëvendëskryetari i Preshevës, Ragmi Mustafa, ka reaguar ndaj presidente së Kosovës Vjosa Osmanit.

“Në parlamentin e Republikës së Kosovës presidentja e vendit shpallë të vdekur idenë e shpresën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës për bashkëngjitje me Kosovë”, ka thënë Mustafa.

Më tutje ai e ka akuzuar se Osmani ka ka shfuqizuar “Referendumin e 1 e 2 marsit të vitit 1992, luftën e UÇPMB-së dhe aspiratën shekullore të shqiptarëve të këtyre trojeve për ribashkim me Republikën e Kosovës”.

“Nuk do të ndalemi kurrë në rrugëtimin tonë stërgjyshor drejt bashkimit me Kosovën”, ka shtuar Mustafa.

Sipas tij, Shqiptarët e Luginës së Preshevës, bien gjumi e zgjohen së bashku me ëndrrën për ribashkim  me Kosovën.

“Asnjëherë nuk ka qenë në të kaluarën si të afërme por edhe të largët shkëmbimi territorial në mes Kosovës e Serbisë. Por, ka pasur një angazhim e zotim të presidentit Thaçi që të ribashkoj Preshevën, Medvegjën e Bujanocin me Republikën e Kosovës”, ka deklaruar ai.

“Rikujtojmë, se nuk mund të ket presidente e as president as në Kosovë e as në Serbi, që të shuaj për dhe, jo vetëm dëshirën e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës por as edhe dokumentet e saja për përcaktueshmëri e vetëvendosje të tyre se ku duan të jetojnë” , ka theksuar Zëvendëskryetari i Preshevës.

Tutje Mustafa ka përfunduar se “Shqiptarët e Luginës së Preshevës nisen drejt varreve të gjyshërve e gjysheve të tyre për t’u rrëfyer se edhe ne u liruam nga okupimi serb, sepse gjitha gjeneratat që ndërruan jetë e vdiqën me sy hapur se nuk e panë të lirë tokën autoktone të tyre”.