Në një intervistë për “RTK Prime”, ish-kryetari i LDK-së e ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, foli për zhvillimet politike në vend. Mes tjerash, ai foli edhe për dy çështje, të cilat, sipas tij, janë shumë të rëndësishme.

E para për dialogun Kosovë-Serbi, planin e BE-së për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve e Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe e dyta për çështjen e demarkacionit të Kosovës me Malin e Zi.

Për të gjitha, Mustafa tha se kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani, të cilët i kanë pasur këto si kauza të tyre për të ardhur në pushtet, tashmë i kanë harruar, sepse, sipas tij, ato nuk kanë qenë fare kauza.

“Presidentja ishte për vizitë në Mal të Zi. As nuk e përmendi demarkacionin dhe ata 8.200 hektarë tokë që thoshin se Kosova ia ka falur Malit të Zi”, tha Mustafa në këtë intervistë, transmeton RTKlive.

Madje, ai tha se Kurti në krye të Qeverisë është gati për dy vjet, dhe nuk bëri asgjë në lidhje më këtë kauzë të tij.

“E ka dy vjet që në krye të Qeverisë është Albin Kurti dhe nuk ka bërë asgjë”, tha Mustafa, duke rijkujtuar se kjo ka qenë gënjeshtër e tyre, vetëm sa për të ardhur në pushtet, sepse sqaroi se “Kosova nuk ka humbur asnjë pjesë të territorit të saj me demarkacion”.

“Kurti e të tjerët e kallën vendin me këtë kauzë, por tani nuk ka asgjë”, tha Mustafa, duke rikujtuar se tanimë askush nuk e përmend.

Sipas tij, vetë fakti që presidentja Osmani shkon në vizitë zyrtare në Mal të Zi dhe nuk e përmend demarkacionin, atëherë kjo është dëshmi se ishte një gënjeshtër sa për të ardhur në pushtet.

“Të dy kauzat, demarkacioni dhe Asociacioni janë të rrejshme”.

Mustafa, më tej, shprehu bindjen se siç po sillen sot për demarkacionin Kurti e Osmani, do të sillen edhe për Asociacionin.

“Siç po shkojnë proceset, këta që e kanë kundërshtuar do ta gëlltisin edhe këtë, por në një formë shumë më të keqe”.

Sa i përket planit franko-gjerman, Mustafa tha se ai parasheh që serbët e Kosovës të kenë një formë të vetëqeverisjës në Kosovë, kurse Kisha Ortodokse Serbe t’i fitojë të gjitha të drejtat.

“Vetëqeverisja do të jetë më shumë se Asociacion. Por, më vonë, sipas platformës në diskutim, deri në vitin 2030, do të vazhdojë dialogu me Serbinë, kurse më vonë do të bisedohet për vetëqeverisjen e tyre”.

Mustafa tha se frikësohet se do të ketë edhe Asociacioni një lloj të vetëqeverisjes.

Ish-kryetari i LDK-së u shpreh se angazhimi i komunitetit ndërkombëtar është që të zbatohen marrëveshjet.

“Kjo marrëveshje franko-gjermane, siguron stabilitet, por nuk kemi njohje nga Serbia”.

Ai tha se askush nuk garanton se pesë vendet mosnjohëse të BE-së, do ta njohin Kosovën.

“Nuk kemi as garancë se në vitin 2030, Serbia do të na njohë”.

Ndër të tjera, ish-kryeministri Mustafa deklaroi në këtë intervistë në “RTK Prime”, se Qeveria duhet të punojë me SHBA-në e BE-në, por të mundohet që në këtë marrëveshje të hyjë edhe komponenta e njohjës reciproke.

“Në këtë kërkesë duhet të këmbëngulët”.