Mustafa: Kushtetuesja s’e zgjidh bllokadën – zgjidhja është qeveria e unitetit
Pas dështimit të 29-të me radhë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, ka deklaruar se mënyra më e mirë për të dalë nga bllokada aktuale është formimi i një qeverie uniteti. Sipas tij, kjo krizë është thellësisht politike dhe nuk mund të zgjidhet përmes Gjykatës Kushtetuese. […]
Pas dështimit të 29-të me radhë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, ka deklaruar se mënyra më e mirë për të dalë nga bllokada aktuale është formimi i një qeverie uniteti.
Sipas tij, kjo krizë është thellësisht politike dhe nuk mund të zgjidhet përmes Gjykatës Kushtetuese.
“Gjykata Kushtetuese fatkeqësisht e ka të pamundur që të gjejë zgjidhje për ngërçet politike. Nuk kemi të bëjmë me ndonjë problem juridik apo mangësi ligjore, por me një bllokadë politike… Kushtetuta nuk njeh formë apo ndonjë mekanizëm që i detyron deputetët të veprojnë apo të mos veprojnë në çfarëdo forme”, ka deklaruar Mustafa.
Ai ka shtuar se LVV, si partia fituese e zgjedhjeve, është ajo që duhet të marrë përgjegjësinë për të ofruar një zgjidhje politike, ndërsa refuzimi i idesë së një qeverie uniteti pa alternativë tjetër vetëm sa e thellon krizën.
“Refuzimi i një qeverie të unitetit pa ofruar zgjidhje tjetër është insistim për vazhdimin e kësaj bllokade. Kjo do ta shtyjë vendin drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme – dhe kjo është gjëja e fundit që i duhet Kosovës në këtë moment”, ka theksuar Mustafa.
Deputeti i LDK-së njoftoi gjithashtu se gjatë kësaj jave partia e tij do të publikojë një agjendë prej 15 pikash, me temat kryesore që do të trajtonte një qeveri e unitetit, nëse arrihet pajtimi mes forcave politike.















