Dëmin e shkaktuar ndaj marrëdhënieve me ShBA-në e BE-në, sipas ish-kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, nuk do ta paguajnë presidentja Vjosa Osmani dhe as kryeministri Albin Kurti, por e gjithë Kosova.

Mustafa ka thënë se prishjen e kolaicionit në vitin 2020, me Lëvizjen Vetëvendosje, e kishte bërë për ta evituar konfrontimin e Kosovës me ShBA-në.

Ai tha se ky ishte vendimi i duhur dhe se partia e tij kishte vepruar në interes të Kosovës.

“LDK në vitin 2020 prishi koalicionin me VV-në për të evituar konfrontimin e Kosovës me SHBA-të. E pagoi çmimin më të shtrenjtë me rreth 100 mijë vota! Por në atë kohë VV-në e përkrahnin diplomatët e SHBA-së, Gjermanisë, Francës, Mbretërisë së Bashkuar, raportuesja e Kosovës në Parlamentin Evropian e…. E sollën vet në pushtet së bashku me analfabetët funksional. Sot, frikësohem se çmimin e prishjes së relacioneve me SHBA-të dhe BE-në , nuk do ta paguajë VV me Kurtin dhe Osmanin por do ta paguajë e gjithë Kosova. Ngushëllimi i vetëm më mbetet se Lidhja Demokratike e Kosovës e kishte vlerësuar drejtë rrezikun dhe vepruam mirë në interes të Kosovës”, ka shkruar ai.

Ndryshe, ShBA-ja dhe Bashkimi Evropian, nuk është duke e përkrahur Kosovën në lidhje me  çështjen e veriut. Ata kanë kërkuar tërheqjen e njësisë speciale nga aty, dhe shpalljen e menjëhershme të zgjedhjeve komunale.

Emisari amerikan, Gabriel Escobar, ka paralajmëruar pasoja për Kosovën në rast se nuk veprojnë ashtu siç kanë kërkuar ShBA dhe BE.