Të shtunën nafta në Kosovë ka mbërritur në çmimin 1 euro e 90 cent për litër.

Mirëpo, përkundër shtrenjtimit rekord, Qeveria nuk e ka ndërmend të ulë TVSH-në apo akcizën për këtë produkt, përkundër që ky veprim vlerësohet se do ta ulte ndjeshëm çmimin.

Në pikat e karburanteve, gjatë së shtunës u panë më pak qytetarë teksa furnizoheshin.

Duke arsyetuar mos prekjen e akcizës, të shtunën kryeministri, Albin Kurti  mori shembull Gjermaninë, e cila javë më parë ndërmori një veprim të tillë.

“Rasti i Gjermanisë ka treguar që çfarëdo heqje e tatimit në derivate të naftës, nuk i ndihmon më së shumti qytetarëve, përkundrazi mund të rrisë fitimin e tregtarëve. Ne dëshirojmë që me politika sociale t’i ndihmojmë qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka thënë Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Mirëpo, me këtë konstatim të Kurtit nuk pajtohet ekonomisti Safet Gërxhaliu.

“Në Gjermani të thuhet që këto masa nuk kanë pasur efekt, besoj që është një informim i gabuar sepse edhe nafta edhe benzina si shkak i këtyre masave janë për të paktën 30 cent më lirë. Në të njëjtën kohë Qeveria gjermane e ka bërë rritjen e pagës minimale, ka garantuar rritjen e orës për secilën punë të kryer dhe në këtë mënyrë qytetarët në Gjermani e kanë pasur mundësinë të shijojnë dorën e shtetit në këtë periudhë kohore”, ka thënë Safet Gërxhaliu, ekonomist.

Kryeministri ka theksuar se ka plan të tjera për çështjen e çmimit të naftës.

“Jemi duke e përcjellur me vëmendje naftën e cila hyn në kufi, çmimet në dogana ditë për ditë dhe jemi duke e përpiluar një udhëzim administrativ si Qeveri e Kosovës lidhur me çmimet e naftës në Kosovë”, ka thënë Kurti.

Çmimet e naftës në Kosovë, sikurse edhe në gjithë botën u rritën pas nisjes së luftës në Ukrainë.

Qeveria e Kosovës deri tash ua ka kufizuar naftëtarëve marzhën e fitimit.