Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare masa ndaj Serbisë, për vazhdim të pretendimeve territoriale ndaj Kosovës, mosdorëzim të përgjegjësve për sulmin në Banjskë dhe diskriminim të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.
Në fjalimin e saj në Kuvendin e Kosovës, Nagavci ka thënë se, derisa Kosova bashkëpunon me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n për sigurinë rajonale, Serbia vazhdon të tolerojë persona të lidhur me krimin e organizuar dhe të mbajë qëndrime që cenojnë sovranitetin e Kosovës.
Ajo ka përmendur shfaqjen publike të Milan Radojiçiqit pranë djalit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në një tubim të Partisë Progresive Serbe, të mbajtur më 9 tetor në Kragujevc.
Nagavci për Radojiçiqin si organizator i sulmit në Banjskë, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ka theksuar se vazhdon të jetë i lirë në Serbi, pavarësisht fletarrestimit ndërkombëtar.
“Organizatori i sulmit terrorist të Banjskës, ku u vra heroi ynë, rreshteri Afrim Bunjaku, i sanksionuar ndërkombëtarisht për lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsionin, dhe ndaj të cilit është lëshuar fletarresti ndërkombëtar përmes Interpolit, vazhdon të jetë i lirë në Serbi”, ka deklaruar ajo.
Nagavci ka kritikuar gjithashtu deklaratën e ministrit të Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiq, i cili, sipas saj, më 7 tetor në Rashkë ka thënë se flamuri serb do të valëvitet mbi Prizren dhe se Kosova mund të jetë e pushtuar, por kurrë e pavarur.
Sipas Nagavcit, këto deklarata nuk janë thjesht retorikë elektorale, por dëshmi e vazhdimit të pretendimeve territoriale të Beogradit ndaj Kosovës.
Ajo ka përmendur edhe nderimet publike për Ratko Mladiqin, i dënuar për gjenocid, si shenjë të vazhdimësisë së politikave që, sipas saj, nuk janë distancuar nga e kaluara.