Nagavci: Mirëpres miratimin e Statutit të rishikuar nga Këshilli Drejtues i UP-së
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e ka mirëpritur miratimin e Statutit të rishikuar, nga Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës. Përmes një shkrimi në Facebook, ajo ka thënë se e ofron “përkrahjen e plotë për zbatimin e Statutit të ri të UP-së me qëllim ngritjen e cilësisë, inkurajimin e kreativitetit, ngritjen e nivelit të kërkimit […]
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e ka mirëpritur miratimin e Statutit të rishikuar, nga Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës.
Përmes një shkrimi në Facebook, ajo ka thënë se e ofron “përkrahjen e plotë për zbatimin e Statutit të ri të UP-së me qëllim ngritjen e cilësisë, inkurajimin e kreativitetit, ngritjen e nivelit të kërkimit e hulumtimit si dhe zhvillimin e ideve dhe aplikimin e teknologjive të reja”.
Tutje ajo ka thënë se Statuti i ri është në harmoni me objektivat e planit strategjik të Ministrisë së Arsimit.
“Statuti i ri është në harmoni me objektivat e Planit tonë Strategjik i cili promovon inovacionin, kontributin për komunitetin, zgjidhjen e problemeve komplekse për shoqërinë dhe përgatitjen e studentëve për tregun e punës”, ka thënë ajo.
Sipas saj, Statuti i rishikuar “ruan, kultivon dhe promovon trashëgiminë akademike e shkencore dhe krijon hapësira më të mëdha për ndjekjen e trendeve në një botë që po lëviz me shpejtësi”.
Tutje ajo ka thënë se ky dokument, qartëson kompetencat dhe përgjegjësitë e të gjitha organeve të UP-së, “si dhe përcaktohen kritere që promovojnë integritet moral e kredibilitet profesional për të zgjedhurit dhe të emëruarit, rritet pavarësia financiare për njësitë akademike dhe institutet, garantohet barazia gjinore në të gjitha organet e universitetit, krijohen mundësitë që të bëhet orientimi më i qartë i stafit akademik në mësimdhënie apo në hulumtimin shkencor”.















