Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, është duke qëndruar për vizitë zyrtare në shtetin e Izraelit.

Nagavci ka thënë se është duke i shqyrtuar mundësitë e shkëmbimit të provojave me shtetin e Izraelit në fushën e arsimit të lartë.

“Rektorë, dekanë, profesorë, drejtorë shkollash e mësimdhënës ndanë përvojat e tyre në përgatitjen e nxënësve e studentëve, sidomos në fushën e teknologjisë dhe inxhinierisë, matematikës, mjekësisë digjitale, programet specifike për vajzat/gratë në IT dhe ndërmarrësi”.

“Bashkë u pajtuam që t’i shohim mundësitë për bashkëpunim në arsimin e lartë, shkëmbimin e studentëve dhe profesorëve përmes projekteve të përbashkëta”, ka shkruar në Facebook Nagavci.

Ajo në këtë viztë është takuar edhe me përfaqësuesit e Universitetit “Bar Ilan”, Institutit për Teknologji “Holon”, Kolegjit Akademik “Zefat”, si dhe shkollës së mesme të lartë “Herzog”.

“Gjatë këtyre vizitave, kisha kënaqësinë të takoj 3 nxënës nga Kosova, të cilët janë duke vijuar shkollimin në Izrael: Gent Jusufi, Fiona Kusari dhe Dita Haziri, me ç’rast u dëshirova suksese në shkollimin e tyre”, ka shtuar ajo.

Nagavci ka shprehur mirënjohje ndaj ambasadores së Kosovës në në Izrael, Ines Demiri, për ndihmën në organizimin e kësaj vizite.