Nata e 12-të e protestës “Jo në emrin tim” në Prishtinë kundër aktgjykimit në Hagë

Qytetarë janë mbledhur edhe sonte në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në natën e 12-të radhazi të protestës “Jo në emrin tim”, kundër aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së.

Njëri nga organizatorët e protestës, Çlirim Haziri, ka lëshuar një pjesë të deklaratës së kryetarit të trupit gjykues në Dhomat e Specializuara, Charles Smith, në të cilën thuhej se UÇK-ja ishte një organizatë politike dhe ushtarake me synim pavarësinë e Kosovës.

Duke iu referuar kësaj deklarate, Haziri ka thënë se katër ish-drejtuesit e UÇK-së janë dënuar për pavarësinë e Kosovës.

“Për atë pavarësi që luftuan, për atë pavarësi u sakrifikuan… Prandaj i themi këtij gjykatësi matuf plak ‘Jo në emrin tim’”, ka deklaruar Haziri.

Protesta “Jo në emrin tim” po mbahet çdo mbrëmje në Prishtinë që nga 16 shtatori, pas shpalljes së aktgjykimit ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së në Hagë.

Ndërkohë, protestë kundër aktgjykimit është mbajtur edhe në Gjakovë, e organizuar nga “Kuqezinjtë e Jakovës”.

Sonte protestë “Jo në emrin tim” edhe në Gjakovë, mori pjesë edhe Nëna Ferdonije Qerkezi

Të fundit nga rubrika