Natasha Kandiq nderohet në Prishtinë me “Çelësin e Qytetit”
Aktivistja serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq, është nderuar të dielën nga Komuna e Prishtinës me çmimin “Çelësi i Qytetit”. Kryetari Përparim Rama i dorëzoi çmimin si shenjë mirënjohjeje për punën e saj në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe përkushtimin ndaj drejtësisë, të vërtetës dhe pajtimit. Në një postim në Facebook, […]
Aktivistja serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq, është nderuar të dielën nga Komuna e Prishtinës me çmimin “Çelësi i Qytetit”.
Kryetari Përparim Rama i dorëzoi çmimin si shenjë mirënjohjeje për punën e saj në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe përkushtimin ndaj drejtësisë, të vërtetës dhe pajtimit.
Në një postim në Facebook, Rama tha se Kandiq është një nga zërat e rrallë që “nuk heshti, edhe kur bota zgjodhi të mbyllte sytë”.
Ai theksoi se “me guximin e saj të palëkundur, ajo i dha zë dhimbjes, i dha drejtësi kujtesës dhe nder viktimave pa dallim kombi apo gjuhe”.
Natasha Kandiq e themeloi Qendrën për të Drejtën Humanitare në vitin 1992, për të dokumentuar shkeljet e të drejtave të njeriut gjatë luftërave në ish-Jugosllavi. Ajo ka kaluar vite duke dokumentuar krimet e luftës në Kosovë dhe rajon.
Gjatë ceremonisë së pranimit të çmimit, Kandiq tha se ndjehej e prekur që ky nderim ndodhi pikërisht më 27 prill, në Ditën Kombëtare të të Zhdukurve në Kosovë, dhe në përvjetorin e masakrës së Mejës, ku më 1999 u vranë 376 persona.















