Vetëm pak pas këtij njoftimi të Prokurorisë se Sami Lushtaku s’ishte përgjigjur në ftesën e tyre për t’u intervistuar për incidentin e paradites me zyrtarin e VV-së, Skenderaj mori këtë pamje.
Forca të Njësisë Speciale Operative u vendosën në qytet, duke kontrolluar vetura e qytetarë, pa dhënë detaje.
Por, rreth mesantës qytetarët u mobilizuan dhe dolën në rrugë, të alarmuar nga prania e specialëve në Drenicë.
Kështu, ata marshuan drejt stacionit policor për të kërkuar përgjigje për arsyen e patrullimeve.
Pak momente më vonë, një veturë tjetër e policisë u paraqit në vend ngjarje, duke u kërkuar qytetarëve informata se pse janë mbledhur.
Protestuesit e lidhnin mobilizimin me sulmin ndaj kryetarit të degës së VV-së Hysni Mehanit, si dhe pretendimet se në rast ishte përfshirë kryetari i komunës, Sami Lushtaku.
Mes tensionit, patrulla e policisë u largua, ndërsa turma vazhdoi marshin.
Në krye të protestës printe ish-deputetja e Partisë Demokratike, Ganimete Musliu.
Përgjigjen që se mori aty për aty, iu dha përmes telefonit nga Policia.
Qytetarët këmbëngulnin që s’lëvizin nga aty pa u larguar plotësisht njësitë Speciale nga Skënderaj.
Rreth orës 02:00, turma filloi të shpërndahet, por për t’u kthyer sërish porsa të zbardhë dita.
Me largimin e veturave të policisë, përfundoi edhe protesta e qytetarëve në Skënderaj, afro 2 orë pasi kishte filluar.