NATO-ja e shqetësuar për retorikën secesioniste në Bosnje

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka shprehur shqetësimin e aleancës për retorikën secesioniste në Bosnjë e Hercegovinë, duke përmendur mbështetjen e plotë për integritetin territorial të vendit, gjatë një konference për medie në Bruksel, së bashku me kryesuesin e Presidencës trepalëshe të Bosnje e Hercegovinës, Denis Beqiroviq

Një flamur i NATO-s shihet në selinë e Aleancës në Bruksel.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka shprehur shqetësimin e aleancës për retorikën secesioniste dhe përçarëse që dëgjohet në Bosnje e Hercegovinë, dhe ka shprehur mbështetjen e plotë të NATO-s për integritetin territorial të këtij shteti.

Këto deklarata ai i bëri gjatë një konference për medie në Bruksel së bashku me kryesuesin aktual të Presidencës trepalëshe të Bosnje e Hercegovinës, Denis Beqiroviq.

Ndonëse Stoltenberg nuk përmendi emra, deklarata e tij duket se u bë në referencë për udhëheqësin e serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, i cili shpesh bën paralajmërime për shkëputjen e entitetit të Republikës Sërpska nga Bosnje e Hercegovina.

Dodik, që është nën sanksione amerikane, mban lidhje të ngushta me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, dhe kundërshton procesin e integrimit të Bosnjës në NATO.

Bosnje e Hercegovina është shtet që është pjesë e integrimit në aleancë përmes Planit të Veprimit për Anëtarësim të NATO-s, i njohur me shkurtesën MAP.

“NATO-ja mbështet integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnje e Hercegovinës. Në të njëjtën kohë jemi thellësisht të shqetësuar me retorikën secesioniste dhe përçarëse që dëgjohet në Bosnje e Hercegovinë”, ka thënë Stoltenberg.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg

Ai u ka bërë thirrje udhëheqësve politikë në Bosnje që të punojnë për forcimin e paqes dhe të stabilitetit.

“NATO mbështet reformat në fushën e sigurisë në Bosnje e Hercegovinë dhe do të vazhdojë të ofrojë ndihmë në këtë drejtim, përfshirë edhe në modernizimin e forcave të armatosura. NATO-ja ka përshëndetur edhe avancimin e Bosnje e Hercegovinën në procesin e integrimeve në BE”, ka deklaruar Stoltenberg, raporton Radio Evropa e Lirë.

Ndërkaq, kryesuesi i radhës i Presidencës trepalëshe të Bosnje e Hercegovinës, Denis Beqiroviq, tha se shumica e qytetarëve të shtetit të tij mbështesin anëtarësimin në NATO. Ai tha se për vendin e tij, mbështetja nga NATO-ja është jetike për të ruajtur paqen dhe sigurinë.

“NATO-ja edhe përmes vendimeve të organeve shtetërore të Bosnje e Hercegovinës ka kompetenca të veprojë në rast se stabiliteti i vendit vihet në rrezik”, u shpreh ai.

Beqiroviq tha se pret që Bosnja të bëjë hapin e radhës në raport me NATO-n dhe të marrë ftesë për t’u bërë anëtare.

Por, shefi i aleancës, Jens Stoltenberg, tha se Bosnja duhet të vazhdojë punën në përmbushjen e kushteve në mënyrë që të marrë ftesën për anëtarësim.

“Bosnja e Hercegovina ka statusin e vendit që ka Planin e Veprimit për Anëtarësim. Por, janë dy kushte. E para është që të bëhen reformat e duhura dhe kjo duhet të vazhdohet. Kushti i dytë është që populli dhe autoritetet në Bosnje e Hercegovinë duhet të dëshirojnë anëtarësimin. Anëtarësimi nuk do të vijë nesër, por duhet të punohet në këtë drejtim”, tha Stoltenberg.

Së fundi, aleanca është zgjeruar duke pranuar edhe dy anëtarë, Suedinë dhe Finlandën. Që një shtet të anëtarësohet në aleancë, duhet mbështetje unanime nga 32 aleatët.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika