NATO kërkon qeveri stabile: Punojmë me këdo që udhëheq Kosovën
Situata në Kosovë me numërimin e votave pas zgjedhjeve të së dielës po monitorohet edhe nga Brukseli. NATO-ja pret që procesi të përfundojë sa më parë dhe të formohet një qeveri stabile. I pyetur për këtë çështje nga televizioni Dukagjini, sekretari i Përgjithshëm i aleancës ushtarake perëndimore Mark Rutte ka thënë në një konferencë për […]
Situata në Kosovë me numërimin e votave pas zgjedhjeve të së dielës po monitorohet edhe nga Brukseli.
NATO-ja pret që procesi të përfundojë sa më parë dhe të formohet një qeveri stabile.
I pyetur për këtë çështje nga televizioni Dukagjini, sekretari i Përgjithshëm i aleancës ushtarake perëndimore Mark Rutte ka thënë në një konferencë për media se janë të gatshëm të punojnë me këdo që udhëheq vendit.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka raportuar për rezultatet finale, dhe bazuar në ato rezultate fillestare, do të ketë një qeveri koalicioni. Dhe sigurisht, ne do të sigurohemi që të punojmë me këdo që drejton shtetin dhe sigurisht, u urojmë politikanëve kosovarë suksese në rrugëtimin politik, dhe të sigurohen që ka një qeveri stabile sa më shpejtë që të jetë e mundur”, ka deklaruar Rutte.
Këtë konferencë, Rutte e mbajti në prag të takimit të Ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare, për të treguar fokusin e diskutimeve.
“Një nga temat kryesore në agjendën tonë është shpenzimi për mbrojtjen. Kemi plane të forta për të mbrojtur një miliard njerëz në një botë më të rrezikshme. Por nuk kemi gjithçka që na duhet për t’i zbatuar ato plotësisht nëse kërkohet. Po punohet për të rënë dakord mbi objektiva të rinj ambiciozë për kapacitetet e mbrojtjes për Aleatët”, ka theksuar ai.
Temë tjetër e rëndësishme do të jetë mbështetja e vazhdueshme e NATO-s ndaj Ukrainës në përballje me agresionin e Rusisë.
Ballkani Perëndimor do të jetë po ashtu pjesë e diskutimeve të ministrave të mbrojtjes. Specifikisht, pritet të diskutohet edhe për situatën e sigurisë në Kosovës, përfshirë rolin e KFOR-it.
Gjatë së mërkurës, në selinë e NATO-s ka qëndruar edhe Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, i cili ka marrë pjesë në takimin e Grupit të Kontaktit për Ukrainën, ku janë bërë bashkë ministrat dhe shefat e mbrojtjes nga mbi 50 vende të botës.















