NATO shton mbikëqyrjen në Detin e Zi pas sulmeve ndaj anijeve tregtare

Një flamur i NATO-s duke valëvitur në selinë e Aleancës.

NATO ka njoftuar sot (e marte) se do të angazhojë më shumë avionë patrullimi detar, radarë dhe dronë në Detin e Zi, pas një serie sulmesh vdekjeprurëse ndaj anijeve në rajon, që dyshohet se lidhen me luftën e Rusisë në Ukrainë.

Vendimi u bë i ditur pas diskutimeve mbi sigurinë në Detin e Zi në Këshillin e Atlantikut të Veriut, organi kryesor vendimmarrës i aleancës, në selinë e NATO-s në Bruksel.

Zëdhënësi ushtarak i NATO-s, koloneli amerikan Martin L. O’Donnell, tha se krahas mjeteve të mbikëqyrjes, vendet aleate kanë dërguar ose planifikojnë të dërgojnë personel dhe ekipe të inteligjencës për ekspertizën e eksplozivëve të përdorur në sulme.

Aleanca ende nuk ka përcaktuar publikisht se kush qëndron pas këtyre incidenteve. Sipas analistëve ushtarakë, Rusia është pothuajse me siguri përgjegjëse, ndërsa Moska nuk e ka pranuar përgjegjësinë.

Javën e kaluar, shtatë marinarë u raportuan të zhdukur pasi dy cisterna që transportonin lëndë kimike u goditën nga dronët pranë brigjeve rumune. Sulmet shkaktuan zjarre në anije dhe shtuan shqetësimet për sigurinë e një rruge detare me rëndësi jetike për Ukrainën.

Gjatë dhjetë ditëve paraprake, të paktën pesë anije të tjera mallrash ishin goditur pranë brigjeve të Rumanisë dhe Bullgarisë, të dyja vende anëtare të NATO-s. Nga këto incidente, të paktën 23 marinarë u raportuan të vdekur ose të zhdukur.

Zëdhënësja kryesore e NATO-s, Allison Hart, deklaroi në platformën X se aleanca tashmë ka përforcuar praninë në krahun lindor, përfshirë kapacitetet për mbrojtje kundër dronëve.

Ajo theksoi se aleatët do të qëndrojnë të bashkuar dhe do të ruajnë gatishmërinë për t’u përballur me çdo kërcënim, me synimin për të garantuar sigurinë e rreth një miliard qytetarëve të vendeve anëtare.

Shija e redaktorit

DUKAGJINI fiton për herë të dytë mbështetjen e EVROPËS KREATIVE...

SHTËPIA BOTUESE “DUKAGJINI” ka fituar për herë të dytë mbështetjen e programit “Evropa Kreative” të BASHKIMIT EVROPIAN për botimin e letërsisë evropiane. Ky vlerësim...

“K’cimi i Tropojës” në Zagreb, në prani të kryeministrit kroat...

Shoqata shqiptare “Shkëndija” nga Zagrebi ka prezantuar vallen tradicionale “K’cimi i Tropojës” në Sallën e Koncerteve “Vatroslav Lisinski”, në kuadër të një programi kulturor...

Policia ushtarake e FSK trajnohet nga instruktorë gjermanë për mbrojtje...

Në kuadër të Planit të Bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes për vitin 2026, ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë...

Të fundit nga rubrika