Një person është ndaluar nga Policia e Kosovës në fshatin Hodonoc të Kamenicës, pasi gjatë kontrollit të automjetit të tij janë gjetur dy viça pa dokumentacion përcjellës.
Rasti është raportuar më 19 shtator, rreth orës 12:35.
Sipas raportit të Policisë, njësiti policor ka ndaluar një automjet transportues, i cili drejtohej nga një person i dyshuar. Gjatë kontrollit, zyrtarët policorë kanë konstatuar se në automjet po transportoheshin dy viça, për të cilët nuk kishte dokumentet e nevojshme.
“Raportohet se nga njësiti policor është ndaluar automjeti transportues që drejtohej nga i dyshuari dhe gjatë kontrollit është vërejtur se transportonte dy viça pa dokumente përcjellëse”, thuhet në raportin policor.
Për rastin janë njoftuar inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), si dhe prokurori kujdestar.
Sipas Policisë, rasti i është dorëzuar AUV-it për procedim të mëtejshëm.