Ndalohen dy shqiptarë në kufirin serb, njëra ish-pjesëtare e UÇK-së, tjetri ish-PK
Kohë më parë se të ndodhte sulmi i Banjskës, Arbnor Spahiu, ish-pjesëtar i Njësisë Speciale Operative, kishte hequr dorë nga shërbimi në Policinë e Kosovës. I njëjti tash e tri vite është në Gjermani, por vizita e tij në Kosovë iu ndalua nga autoritetet serbe, pasi është ndaluar më 7 qershor nga autoritetet serbe në […]
Kohë më parë se të ndodhte sulmi i Banjskës, Arbnor Spahiu, ish-pjesëtar i Njësisë Speciale Operative, kishte hequr dorë nga shërbimi në Policinë e Kosovës.
I njëjti tash e tri vite është në Gjermani, por vizita e tij në Kosovë iu ndalua nga autoritetet serbe, pasi është ndaluar më 7 qershor nga autoritetet serbe në pikën kufitare Horgosh dhe është dërguar në qendrën e ndalimit në Kanjizë.
Sipas avokatit Arianit Koci, angazhimi i tij nuk mjafton për lirimin e Spahiut, i cili po merret në pyetje për rastin e Banjskës.
“Jam angazhuar për mbrojtjen e Arbnorit me të gjitha mjetet ligjore. Por kjo nuk mjafton.
Kërkoj reagim urgjent nga Ministria e Punëve të Jashtme, Zyra Ndërlidhëse në Beograd dhe të gjitha institucionet përgjegjëse.
Sepse heshtja e sotme e nxit Serbinë të vazhdojë me ndalime të tjera. Dhe asnjë qytetar i Kosovës nuk duhet të përballet i vetëm me një padrejtësi të tillë”, ka deklaruar Koci.
Ndihmë për ish-pjesëtarin e Policisë së Kosovës kërkuan edhe familjarët, të cilët thanë se tash e tri vite nuk ka asnjë lidhje me Policinë e Kosovës dhe për vendlindje ishte nisur për të takuar prindërit e tij.
Aty tregohet se për 12 orë me të njëjtin nuk kishin asnjë komunikim.
Eksperti i Sigurisë, Drizan Shala, thotë që Policia Serbe është duke zbatuar urdhërin politik për ndalim të pjesëtarëve ose ish-pjesëtarëve që shërbejnë në organet e sigurisë ose drejtësisë.
“Serbia e ka në plan të zbatojë urdhrin e ardhur nga niveli politik, për të cilin ka alarmuar edhe shefi i shtabit të Serbisë, që për çdo pjesëtar që është aktiv por edhe ata që nuk janë aktivë, janë potencial të jenë të arrestuar nga autoritetet serbe”, ka theksuar ai.
Në lidhje me një ndalim tjetër ka reaguar kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, më saktësisht për rastin e Linda Fetahut, e cila kishte shërbyer si infermiere në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe që sipas Sinanit është ndalur për më shumë se tre orë në pikën kufitare në Dheu i Bardhë.















