Ndalohen punimet në gjashtë objekte ndërtimi në Prishtinë, Pejë dhe Mitrovicë

Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar përkohësisht punimet në gjashtë objekte ndërtimi në Prishtinë, Pejë dhe Mitrovicë, pas konstatimit të parregullsive në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë.

Sipas Inspektoratit, gjatë inspektimeve janë kontrolluar tri objekte në komunën e Prishtinës, dy në komunën e Mitrovicës dhe një në komunën e Pejës.

“Gjatë inspektimeve në objekte ndërtimi, përkatësisht tri në komunën e Prishtinës, dy në komunën e Mitrovicës dhe një në komunën e Pejës, janë konstatuar parregullsi në mosmarrjen e masave të nevojshme për sigurinë dhe shëndetin në punë”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit.

Për shkak të këtyre parregullsive, Inspektorati Qendror i Punës ka nxjerrë vendime për ndalimin e përkohshëm të punimeve në këto objekte.

“Punimet do të ndalohen deri në eliminimin e të gjitha mangësive të evidentuara dhe krijimin e kushteve të sigurta për zhvillimin e punës”, thuhet në njoftim.

Inspektorati ka bërë të ditur se do të vazhdojë mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit të punës.

“Inspektorati Qendror i Punës mbetet i përkushtuar në mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit të punës dhe apelon te të gjithë punëdhënësit që të respektojnë standardet e sigurisë dhe shëndetit në punë, me qëllim të parandalimit të aksidenteve në vendin e punës”, thuhet në njoftim.

Të fundit nga rubrika