Ndalohen tre persona në Ferizaj, dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim dokumentesh
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka bërë të ditur se janë ndaluar tre persona të dyshuar për disa vepra penale, përfshirë keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar, falsifikimin e dokumenteve dhe legalizimin e përmbajtjes së rreme. Sipas njoftimit, me vendim të Prokurorit të Shtetit nga Departamenti i Krimeve të Rënda, është iniciuar hetim ndaj tre të […]
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka bërë të ditur se janë ndaluar tre persona të dyshuar për disa vepra penale, përfshirë keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar, falsifikimin e dokumenteve dhe legalizimin e përmbajtjes së rreme.
Sipas njoftimit, me vendim të Prokurorit të Shtetit nga Departamenti i Krimeve të Rënda, është iniciuar hetim ndaj tre të dyshuarve, ndërsa me urdhër të Gjykatës Themelore në Ferizaj është realizuar kontroll në shtëpitë dhe lokalet e tyre përcjellëse. Pas kontrollit, të njëjtit janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh.
Të dyshuarit po hetohen për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje në ndihmë” (neni 414 lidhur me nenet 31 dhe 33 të Kodit Penal të Kosovës), “Falsifikimi i dokumenteve” në bashkëkryerje (neni 390) si dhe “Legalizimi i përmbajtjes së rreme” (neni 395).
Në lidhje me mbrojtjen e të pandehurve, dy prej tyre fillimisht nuk kanë autorizuar avokat mbrojtës. Me urdhër verbal të prokurorit, është autorizuar shefi i hetimeve në NJHKEK në Ferizaj për të njoftuar Odën e Avokatëve të Kosovës, në mënyrë që të caktohen avokatë sipas detyrës zyrtare.
Oda e Avokatëve në Prishtinë fillimisht ka kërkuar të dhëna për identitetin e të dyshuarve dhe veprat për të cilat ata dyshohen, përpara se të caktojë mbrojtjen ligjore.
Prokuroria ka theksuar se mosbashkëpunimi në këtë proces mund të paraqesë pengesa në zhvillimin e procedurës hetimore dhe ka njoftuar të gjitha palët për pasojat ligjore të moszbatimit të kërkesave të institucioneve të drejtësisë.















