Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se tre persona janë ndaluar për 48 orë nën dyshimin për përfshirje në vepra penale që lidhen me legalizimin e përmbajtjes së pavërtetë, falsifikimin e dokumenteve dhe keqpërdorimin e pozitës zyrtare.
Sipas Prokurorisë, aksioni është realizuar në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Ferizaj, pas zbatimit të një urdhri për kontroll dhe sekuestrim të përkohshëm të shtëpive dhe lokaleve përcjellëse, të lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit nga Departamenti i Krimeve të Rënda, janë ndaluar A.S., noter në komunën e Vitisë, I.M. nga Prishtina dhe F.N. nga komuna e Dragashit.
Ata dyshohen për kryerjen e veprave penale “Legalizimi i përmbajtjes së pavërtetë në bashkëkryerje”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokuroria ka bërë të ditur se ndalimi i tyre është rezultat i vazhdimit të hetimeve që lidhen me një rast paraprak, në kuadër të të cilit më herët ishin ndaluar edhe pesë persona të tjerë, të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Autoritetet kanë theksuar se hetimet do të vazhdojnë dhe se do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme procedurale dhe ligjore ndaj të dyshuarve në këtë çështje penale.