Ndalohet edhe një person për rastin “Brezovica”

Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh nga Gjykata Themelore në Ferizaj ndaj të pandehurit R.M, i ci​li me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh

Prokuroria Themelore në Ferizaj

Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka njoftuar se të enjten e dy qershorit është ndaluar edhe një person lidhur me rastin “Brezovica”, i cili me vendim të prokurorit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh.

Përmes një komunikate për media, prokuroria ka njoftuar se ndaj të njëjtit do të paraqesë edhe kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

“Me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, i dyshuari R.M., për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale në bashkëkryerje ‘Marrja e ryshfetit’ në ndihmë nga neni 428 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 dhe 33 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe veprën penale në bashkëkryerje ‘Ushtrimi i ndikimit’, nga neni 431 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.

ilustrim

Sipas njoftimit, i njëjti dyshohet se ka ndërmjetësuar në marrjen e ryshfetit për zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH-së), së bashku me Z.G., dhe A.X., për lëshimin e pëlqimeve mjedisore dhe ujore, duke marrë rreth 70 mijë euro nga investitorët në vikend zonën e Brezovicës.

“I njëjti R.M., gjatë zbatimit të urdhër kontrollit për kontrollin e shtëpive dhe objekteve përcjellëse në aksionin “Brezovica” të datës 26 Maj 2022. Ku, me ç’rast janë kontrolluar dhe bastisur gjashtë lokacione të ndryshme, i njëjti nuk është gjetur në shtëpinë e tij, ndërsa, sot është arrestuar në vendkalimin kufitar në Vërmicë”, vijon njoftimi.

Ndërkaq, më 26 maj, Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka njoftuar se në vazhdimësinë e aksioneve të mëhershme të rastit “Brezovica”, janë arrestuar edhe katër persona të dyshuar, në mesin e të cilëve është edhe ish-sekretari i ministrisë së Infrastrukturës.

Personat e arrestuar me inicialet Xh.B., I.F., Xh.Sh., dhe B.P., janë ndaluar për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Marrja e ryshfetit”, “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Dhënia e ryshfetit”.

Nga ky aksion janë kontrolluar dhe bastisur gjashtë lokacione të ndryshme.

“Në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj për kontrollin e shtëpive dhe objekteve përcjellëse, sot kanë realizuar aksionin “Brezovica ” i cili është vazhdimësi i aksioneve të mëhershme, ku, me ç’rast janë kontrolluar dhe bastisur gjashtë lokacione të ndryshme dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, katër persona të dyshuar, në mesin e tyre edhe ish- sekretari​ i Ministrisë së Infrastrukturës në Prishtinë”, thuhet në njoftim.

Sipas prokurorisë, gjatë kontrollit në objektet e kontrolluara janë gjetur dhe konfiskuar, pushkë e gjuetisë, revole, telefon celuar, laptop dhe dokumente të ndryshme.

Ndryshe, aksioni i tretë i këtij rasti ishte zhvilluar më 16 mars të këtij viti, ku nga bastisja e shtatë lokacioneve të ndryshme në komunën e Shtërpcës ishin arrestuar dy persona.

Kush ishin të arrestuarit e tjerë?

Një aksion tjetër ishte zhvilluar edhe të enjten e tre marsit, ku u arrestuan shtatë persona. Kjo, nën dyshimin për lëshimin e lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”, në zonën e Brezovicës.

Kështu pati njoftuar Prokuroria Themelore në Ferizaj me anë të një komunikate për media, ku thuhej se ishin bastisur 12 lokacione të ndryshme në katër qytete si, Ferizaj, Prishtinë, Skenderaj dhe Lipjan.

“Deri më tani janë arrestuar shtatë persona, tre prej tyre ish- zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe katër pronarë të kompanive ndërtimore, të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje, dhënie të ryshfetit, si dhe ushtrim i ndikimit”, thuhej në komunikatë.

Ndërkohë, Policia e Kosovës bashkë me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, aksionin “Brezovica” e kishte nisur më 21 dhjetor të vitit 2021. Nga aksioni i parë ishin arrestuar 10 persona.

Lidhur me rastin, deri më tani janë arrestuar 30 persona, duke përfshirë edhe ish-kryetarin e komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliç.

Prokuroria Themelore e Ferizajt kishte deklaruar se ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikolliç, ka përfituar deri në një milion euro për lejet e lëshuara kundërligjshëm për ndërtimin e objekteve në Brezovicë.

Lidhur me këto arrestime, kishte reaguar presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili kishte premtuar ndihmë juridike për të arrestuarit.

Shtërpca është njëra prej gjashtë komunave me shumicë serbe në jug të Lumit Ibër në Kosovë, në krye të saj ishte Nikolliç, nga radhët e Listës Serbe.

Kjo është partia kryesore e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Ai, para se t’i bashkohej Listës Serbe në vitin 2013, ishte kryetar i Shtërpcës nga radhët e Partisë së Pavarur Liberale, e cila në fillim të vitit 2020 shpalli moratorium politik, si pasojë e dominimit total të Listës Serbe.

Përveç Nikoliç, janë arrestuar edhe zyrtarë të tjerë të kësaj komune, zyrtarë të lartë të Ministrisë së Infrastrukturës, dhe pronarë të kompanive të ndryshme ndërtimore.

Shija e redaktorit

Voton Bujar Osmani, kandidat për president i Maqedonisë Veriore

Kandidati për president i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka votuar. Në një deklaratë para medieve, Osmani inkurajoi qytetarët të dalin në numër sa më...

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Të fundit nga rubrika