Ndalohet për 48 orë 62-vjeçari i dyshuar për sulmin me thikë ndaj katër personave në Ferizaj
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka urdhëruar ndalimin e 62-vjeçarit për 48 orë, pas dyshimeve se ai plagosi katër persona me thikë në Ferizaj, më 11 nëntor. Siç ka konfirmuar zëdhënësja e prokurorisë, Vjosa Baftiu, hetimet për motivet e këtij rasti janë ende duke vazhdua. Baftiu ka konfirmuar se i dyshuari, i cili u dorëzua në […]
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka urdhëruar ndalimin e 62-vjeçarit për 48 orë, pas dyshimeve se ai plagosi katër persona me thikë në Ferizaj, më 11 nëntor.
Siç ka konfirmuar zëdhënësja e prokurorisë, Vjosa Baftiu, hetimet për motivet e këtij rasti janë ende duke vazhdua.
Baftiu ka konfirmuar se i dyshuari, i cili u dorëzua në Policinë e Kosovës në mëngjesin e 12 nëntorit, i janë ngritur akuza për vrasje të rëndë në tentativë.
Fillimisht, për shkak se iu është përshtatur profilit të të dyshuarit, Policia kishte arrestuar një person tjetër, i cili më pas me aktvendim të prokurorit është liruar.
Plagosjet ndodhën në tri lokacione të ndryshme të qytetit, ku viktimat përfshijnë dy vajza të mitura dhe dy burra.
“Prokurori ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit për 48 orë dhe pritet që brenda afatit ligjor të bëj edhe kërkesën për paraburgim. Ende nuk dihet se cilat janë motivet e këtij rasti, hetimet në këtë drejtim janë duke vazhduar” – ka deklaruar Baftiu për Kallxo.com.
Aktualisht, prokurori po përgatit kërkesën për paraburgim ndaj të dyshuarit, pasi ndalimi i tij është i përkohshëm.
Sipas Policisë, dy viktimat e mitura janë të komunitetit ashkali, ndërsa njëri prej burrave të lënduar është shtetas i Shqipërisë.
Tre prej katër personave që u therën me thikë në Ferizaj nga një person i moshës madhore po trajtohen në Klinikën Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).















