Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë pasi kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kërkoi kohë shtesë për vazhdimin e diskutimeve me partitë parlamentare rreth zgjedhjes së presidentit të vendit.
Kurti, gjatë fjalës së tij, ka falënderuar edhe kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza dhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për takimet e përbashkëta, njofton Dukagjini.
Megjithatë, Kurti theksoi se Lëvizja Vetëvendosje mbetet e gatshme të zhvillojë bisedime edhe me PDK-në dhe Aleancën, pavarësisht refuzimit të deritanishëm të partive.
“Ato bisedime u pezulluan pas zhvillimeve të brendshme në LDK, rifillimi i bisedimeve u bë vetëm në këtë javë. Ne duam bisedime edhe me PDK-në edhe me Aleancën por refuzimi i tyre është i qartë. Zgjedhjet e 7 qershorit na u shkaktuan sepse në prill nuk na u zgjidh presidenti, ne duam të ecim përpara bashkërisht por na duhet dakordimi sa më i gjerë për presidentin unfikues ashtu siç e kërkon kushtetutshmëria për të cilën u betuam pak më parë”, u shpreh Kurti.
Ai shtoi se konstituimi nuk duhet të përfundojë me shpërndarjen e Kuvendit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja, duke kërkuar kohë shtesë për diskutimet për çështjen e presidentit.
“Konstituimi kësaj radhe nuk bën të jetë sërish edhe një shpërndarje e Kuvendit e edhe zgjedhje të parakohshme, të paarsyeshme për qytetarët e të dëmshme për ekonominë andaj i nderuari kryesues, Avni Dehari, kërkojmë kohë shtesë që t’ju japim shans bisedimeve politike për marrëveshje për president a presidente të re”, u shpreh Kurti.
Pas kësaj, Dehari e ndërpreu senacën. Për vazhdimin e saj, kryesuesi ka thënë se do të njoftoheni me kohë.
Kuvendi ka kohë për konstituim deri nesër.