Një ngjarje e rëndë ka ndodhur rreth mesnatës në Lipjan, ku një person i dyshuar se ishte nën ndikimin e alkoolit ka goditur me veturë disa kalimtarë në rrugën “Haradin Bajrami”.

Sipas njoftimit të Policisë, personi në fjalë më pas ka ndërruar jetë. Rasti është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, i cili bëri të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:15.

“Njësitë policore kanë reaguar menjëherë për të vënë situatën nën kontroll, ndërsa në vendin e ngjarjes është thirrur edhe ekipi mjekësor emergjent, i cili i ka ofruar ndihmën e parë personit në fjalë. Përkundër përpjekjeve, është konstatuar se ai kishte ndërruar jetë”, ka theksuar Borovci.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante hetimore si dhe Prokurori për Krime të Rënda, i cili ka urdhëruar fillimin e një hetimi penal.

“Janë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për ndriçimin e rastit, përfshirë sigurimin e provave materiale dhe intervistimin e dëshmitarëve. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar hetim penal lidhur me rastin, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, ka shtuar Borovci.

Policia ka konfirmuar se hetimet janë në vazhdim për të sqaruar rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje.