Në këtë gjendje ky objekt në Gjakovë është tash e 30 vite.

I destinuar për banim social që nga koha e regjimit jugosllav, në parametra të njëjtë pretendohej të mbetej edhe nga pushtetet e ardhura pasluftës, por pa u finalizuar ndonjëherë.

Zgjidhje për këtë pronë po planifikohet të bëhet tani, pasi Kuvendi komunal ka miratuar propozimin për dhënien në shfrytëzim tek një kompani private, plani i së cilës është ndërtimi i një hoteli, investim që parashihet të shkojë në më shumë se 1 milion euro.

“Pas pesë takimeve të mbajtura mes kryetarit dhe përfaqësuesit të operatorit ekonomik janë ndjekur të gjitha procedurat dhe është ardhur deri te finalizimi i marrëveshjes dhe pas finalizimit të marrëveshjes e njëjta marrëveshje bashkë me të gjitha dokumentacionet përcjellëse ka kaluar në Kuvendin Komunal për miratim dhe me shumicë votash nga anëtarët e Kuvendit është miratuar”, ka thënë Frok Gjergjaj – zyrtar Ligjor KK Gjakovë.

Televizioni Dukagjini ka kontaktuar edhe me kompaninë përfituese të këtij projekti.

Përfaqësuesi i autorizuar, Rrustem Leti u shpreh se pas publikimit të listës për dhënien në shfrytëzim të pronave të Komunës së Gjakovës, kanë paraqitur interes për pronën në fjalë, duke propozuar projekt ideor, për destinimin e kësaj prone në apartamente.

I njëjti do të ofrohet edhe për nevojat zyrtare të Komunës së Gjakovës dhe do të mbetet përherë pronë e komunës.

“Në bazë të ligjit për dhënien në shfrytëzim të asaj prone, ne kemi paraqitur kërkesën tonë në Komunë, bashkangjitur me ofertën, planin dinamik të zhvillimit të punimeve, gjithashtu paramasën dhe parallogarinë e ndërtimit të finalizimit të objektit në fjalë”, ka thënë Rrustem Leti – Pronar i kompanisë.

Por, procedurën po e kontestojnë partia opozitare më e madhe në vend, Lëvizja Vetëvendosje.

Një nismë e tillë, sipas Shqipe Fejzës, nuk korrespondon me interesin publik.

“Mbi 12 ari hapësirë do të jepet për 83 euro në muaj, gjë që nuk fiton as Komuna as askush dhe është në afat prej 99 vjetësh. Cili është interesi publik në këtë çështje ne nuk kemi arritur ta kuptojmë ende. Edhe pse kjo ka kaluar në Kuvend ne nuk jemi të pajtimit për këtë çështje”, ka thënë Shqipe Fejza – Asambliste, LVV – Gjakovë .

Nga komuna e Gjakovës, situatën e krijuar po e vlerësojnë si procedurë konform ligjeve në fuqi e cila është dërguar për shqyrtim edhe në Ministrinë e Ambientit, por pavarësisht interesimit, televizioni nuk ka marrë një përgjigje për këtë çështje nga kjo ministri.