Policia e Kosovës ka njoftuar për masa të shtuara sigurie me rastin e zhvillimit të ndeshjes kualifikuese ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, e cila do të luhet më 31 mars, në ora 20:45, në stadiumin Fadil Vokrri.

Sipas njoftimit, Policia e Kosovës në bashkëpunim me institucionet relevante dhe organizatorët do të jetë e pranishme në numër të shtuar në stadium, në qytet dhe në tri “Fan Zona”, për të menaxhuar situatën para, gjatë dhe pas ndeshjes.

Autoritetet kanë paralajmëruar gjithashtu bllokime të përkohshme të disa rrugëve kryesore në kryeqytet, përfshirë rrugët “Tring Ismajli”, “Agim Ramadani”, “Eqrem Çabej”, Bulevardin “Bill Clinton”, si dhe zonat përreth stadiumit. Kufizime do të ketë edhe gjatë lëvizjes së delegacioneve drejt aeroportit, përmes rrugëve “Tirana”, “Arbëria”, “Ahmet Krasniqi” dhe autostradës.

Po ashtu, rrugë të tjera në perimetrin e stadiumit, si “Luan Haradinaj” dhe “Fehmi Agani”, do të kenë kufizime të përkohshme në qarkullim, varësisht nga nevojat operacionale.

“Policia e Kosovës njofton qytetarët se me datë 31 mars 2026, duke filluar nga ora 20:45, në Stadiumi Fadil Vokrri do të zhvillohet ndeshja finale e play-off-it për FIFA World Cup 2026 ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.

Duke pasur parasysh rëndësinë e veçantë të kësaj ndeshjeje, janë ndërmarrë masa të shtuara të sigurisë në bashkëpunim me institucionet përkatëse dhe organizatorët. Policia e Kosovës, së bashku me strukturat mbështetëse angazhohen për të garantuar rendin dhe sigurinë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes.
Do të ketë prani të shtuar policore në stadium, në qytet dhe në tri “Fan Zona”:
Me qëllim të lëvizjes së delegacioneve, lehtësimit në qarkullim dhe zhvillimit të ndeshjes, do të ketë bllokime të përkohshme të rrugëve: lokale dhe Nacionale si në vijim rrugët: Tring Ismajli, Agim Ramadani, Eqrem Çabej, Semaforat kryesore, Bulevardi Bill Clinton, Rrethi te Stacioni i Autobusëve, Rruga Hekurudhat, Rruga Tirana (drejt stadiumit), ndërsa gjatë Largimi nga stadiumi drejt aeroportit: Rruga Tirana, Arbëria, rr. Ahmet Krasniqi dhe Autostrada (drejt aeroportit).
Rrugë të tjera kanë kufizime të përkohshme në Perimetrin rreth stadiumit, rr. Luan Haradinaj (deri te Ministria e Drejtësisë) dhe rr. Fehmi Agani
Këto bllokime do të jenë të përkohshme dhe do të realizohen në intervale kohore, varësisht nga lëvizjet zyrtare dhe nevojat e lehtësimit ne trafikun rrugor.
Policia e Kosovës apelon tek qytetarët që:
• Të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë në terren
• Të përdorin rrugë alternative kur është e mundur
• Të kontribuojnë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike
Siguria dhe mbarëvajtja e kësaj ngjarje sportive është përgjegjësi e përbashkët.
Ftojmë qytetarët për mbështetje dhe respektim të rendit publik”, thuhet në njoftim.