Ndihmëssekretari amerikan sot në Kosovë, takon Kurtin
Një zyrtar të lartë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta ketë sonte mysafir kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Ndihmës Sekretari amerikan në detyrë i Shtetit, Brendan Hanrahan do të mbërrijë në mbrëmje në Prishtinë, në kuadër të vizitës së tij në rajon. Me të, Kurti do të zhvillojë darkë pune të organizuar […]
Një zyrtar të lartë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta ketë sonte mysafir kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Ndihmës Sekretari amerikan në detyrë i Shtetit, Brendan Hanrahan do të mbërrijë në mbrëmje në Prishtinë, në kuadër të vizitës së tij në rajon.
Me të, Kurti do të zhvillojë darkë pune të organizuar nga e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati.
Zëdhënësi i qeverisë në detyrë Përparim Kryeziu ka thënë se takimi vjen në kuadër të vazhdimit të bashkëpunimit dhe koordinimit me partnerin kryesor ndërkombëtar të Kosovës, SHBA-në.
Këtë vizitë, analistja Magbule Shkodra e sheh si rikthim të vëmendjes së administratës Trump.
”Presidenti Trump nuk do të jetë nga ata presidentë që do të vazhdojnë me një ping pong të dialogut, por do të kërkojë që në mënyrë më të shpejtë, më efektive, të gjendet një modalitet i asaj që do ta normalizonte raportin Kosovë-Serbi, dhe unë nuk e përjashtoj që ndoshta të sigurohet edhe njohja për Kosovën, që njëherë e përgjithmonë të ndalet ky konflikt. Por që të ndodhë kjo ne duhet të kemi politikanë të përgjegjshëm”, ka thënë Magbule Shkodra, Analiste.
Kurse sipas analistit tjetër politik Dorajet Imeri, mesazhi kryesor i zyrtarit të lartë amerikan do të jetë formimi i institucioneve të reja.
Imeri: Mesazhi kyç pritet të jetë nevoja për formimin e institucioneve të reja
“Pavarësisht vështirësive që ka Kosova në procesin e konstituimit të institucioneve, SHBA-ja nuk ndalet së vepruari në kuadër të strategjisë së saj në rajon. Ajo vazhdimisht dërgon diplomatë për të shtyrë përpara agjendat e veta. Është e qartë se SHBA-ja ka nevojë për një partner në Kosovë, dhe për këtë arsye kërkohet që qeveria e re të burojnë nga një shumicë funksionale në Kuvend”, ka thënë Dorajet Imeri, Analist.
Hanrahan u takoi para tri ditësh edhe presidenten Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj në SHBA.
Para Kosovës, diplomati amerikan qëndroi të shtunën në Beograd, atje ku zhvilloi takime të ndara me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryediplomatin serb, Marko Gjuriq.
Vuçiq tha pas takimit se Serbia është e përkushtuar për ruajtjen e paqes, dhe stabilitetit, duke shtuar se dialogun e sheh si rrugën e vetme për zgjidhjen e çështjeve të hapura.
Ndërsa në një paraqitje tjetër, Vuçiq mohoi deklaratën e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani se Serbia ka qenë gati të përshkallëzojë situatën e sigurisë në Kosovës, por që këtë e ka ndalur presidenti amerikan Donald Trump.
Ndërsa, zyrtari amerikan do të vizitojë edhe Bosnje e Hercegovinën.















