Ndryshim i madh i motit, Komuna e Prishtinës paralajmëron qytetarët për rreziqe të mundshme
Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca në Prishtinë ka paralajmëruar ndryshim të kushteve atmosferike pas një periudhe të gjatë me temperatura jashtëzakonisht të larta. Sipas njoftimit, dita e martë do të vazhdojë të jetë nën ndikimin e masave të nxehta, por pasdite parashihen vranësira, rrebeshe lokale shiu, rrufe dhe erëra të forta që mund të arrijnë […]
Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca në Prishtinë ka paralajmëruar ndryshim të kushteve atmosferike pas një periudhe të gjatë me temperatura jashtëzakonisht të larta.
Sipas njoftimit, dita e martë do të vazhdojë të jetë nën ndikimin e masave të nxehta, por pasdite parashihen vranësira, rrebeshe lokale shiu, rrufe dhe erëra të forta që mund të arrijnë deri në 70 km/h.
Nga e mërkura, do të depërtojë një front i fuqishëm i ftohtë që do të sjellë një ulje të menjëhershme të temperaturave, deri në 20°C më pak. Priten reshje të dendura dhe mot i paqëndrueshëm.
E enjtja do të karakterizohet me vranësira të shpeshta dhe temperatura më të ulëta se zakonisht për këtë periudhë të vitit.
E premtja pritet të sjellë stabilizim gradual të motit dhe rritje të lehtë të temperaturave, por që do të mbesin nën 30°C.
Qytetarëve u rekomandohet të qëndrojnë të informuar përmes kanaleve zyrtare, të shmangin qëndrimin në ambiente të hapura gjatë stuhive dhe rrufesë, të sigurojnë objektet e jashtme që mund të dëmtohen nga era, si dhe të tregojnë kujdes të shtuar për fëmijët dhe të moshuarit.
Po ashtu, kërkohet që automjetet të mos parkohen nën pemë apo objekte të rrezikshme.
Sipas parashikimeve ndërkombëtare, masat e ftohta pritet të vijnë nga veriperëndimi i Evropës dhe tashmë kanë përfshirë disa shtete si: Veriu i Italisë, Sllovenia, Kroacia, Bosnje dhe Hercegovina, Hungaria, Sllovakia, Polonia, Ukraina dhe Rumania.
Në këto vende janë raportuar rrebeshe të fuqishme shiu, shkarkesa të rrezikshme rrufesh dhe erëra të forta me shpejtësi deri në 130 km/h – me rrezik të lartë për pasoja serioze.















