Ndryshime në stacionin policor në Lipjan, flet Sveçla
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka komentuar raportimet për zëvendësime të ndryshme të kapitenëve të Policisë së Kosovës në disa komuna, si në Lipjan, Suharekë dhe Klinë. “Policia e Kosovës është institucioni më kredibil në Republikën e Kosovës dhe këtë e arrin falë punës së palodhshme të gjithë pjesëtarëve të saj, […]
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka komentuar raportimet për zëvendësime të ndryshme të kapitenëve të Policisë së Kosovës në disa komuna, si në Lipjan, Suharekë dhe Klinë.
“Policia e Kosovës është institucioni më kredibil në Republikën e Kosovës dhe këtë e arrin falë punës së palodhshme të gjithë pjesëtarëve të saj, patjetër edhe udhëzimeve tona të qarta. Ajo është e suksesshme po ashtu edhe për shkak të vetpërmirësimeve të vazhdueshme që i bën. Kështu që çdo veprim i Policisë së Kosovës që shkon në ngritjen e kualitetit, ngritjen e gatishmërisë, por edhe shtimin e suksesit të Policisë së Kosovës, ne e përkrahim”, deklaroi Sveçla të enjten për Dukagjinin.
I pyetur nëse mund të ketë edhe veprime nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ai theksoi se është e nevojshme për të vepruar brenda kompetencave ligjore.
“Patjetër. Ne e vlerësojmë të nevojshme të veprojmë, gjithmonë brenda kompetencave tona ligjore, në luftën kundër”, u shpreh ai.
Më 7 korrik, në minutat e para pas mesnatës në qytetin e Lipjanit, ndodhi një ngjarje tragjike që tronditi opinionin publik: një i ri 27-vjeçar, Agon Zejnullahu, humbi jetën gjatë ndërhyrjes policore.
Dy ditë pas vdekjes së 27-vjeçarit në duart e pesë zyrtarëve policor, Dukagjini ka raportuar se komandanti i Stacionit Policor në Lipjan, Argjend Gashi është shkarkuar nga pozita, por më pas ai vetë ka deklaruar se ka ofruar dorëheqjen e tij morale.
Kështu ka deklaruar Gashi në një bisedë për KALLXO.com, derisa shtoi se ai nuk është shkarkuar nga pozita, por ka bërë kërkesën për dorëheqje dhe është në pritje të një vendimi.
Pamje të publikuara po atë ditë në rrjetet sociale shfaqnin momentin kur disa zyrtarë policorë po e arrestonin Zejnullahun. Videot ngjallën reagime të forta për mënyrën e ndërhyrjes dhe ngritën shqetësime për tejkalim të kompetencave dhe mungesë profesionalizmi në trajtimin e situatës.
Më 9 korrik 2025, pesë zyrtarët policorë të përfshirë – Ibrahim Nela, Albian Ratkoceri, Artidon Konxheli, Liridon Rrahmani dhe Endrit Beqiri – u paraqitën para Gjykatës Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, nën dyshimin për veprën penale “vrasje nga pakujdesia”.
Gjykata u caktoi atyre masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
Po ashtu kujtojmë se, tre zyrtarë policorë të stacionit në Klinë janë arrestuar, nën dyshimin se kanë keqtrajtuar fizikisht një qytetar të prangosur gjatë arrestimit në oborrin e shtëpisë së tij më 28 qershor, me urdhër të Prokurorisë Themelore në Pejë.
Ndërkaq në Suharekë, një person i ndaluar për dhunë në familje dyshohet se ka kryer vetëvrasje brenda stacionit policor, ndërsa tre zyrtarë policorë janë suspenduar përkohësisht dhe rasti është nën hetim nga IPK dhe Prokuroria.















