Prishtinë, 7 mars – Në kuadër të fushatës “Mendo Gjelbër. Vepro Gjelbër” ka nisur seria e Podcastave të realizuar në bashkëpunim me Radio Dukagjinin, ku janë ftuar ekspertë dhe personalitete të ndryshme për të diskutuar për pasojat ndryshimeve klimatike si dhe rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit.
I ftuari i parë ishte pulmologu Gazmend Zhuri i cili theksoi ndikimin e ndotjes së ambientit dhe ndryshimeve klimatike në shëndetin e njeriut.
Ai e ka ndërlidhur përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të qytetarëve në periudhën e dimrit me ndotjen atmosferike dhe ndryshimet klimatike që e përkeqësojnë cilësinë e ajrit.
“Fatkeqësisht ndryshimet klimatike ndikojnë drejtpërdrejtë nuk ka dyshim aty. Studimet po bëhen por lyp kohë me u publiku studimet në njerëz se sa ndikojnë drejtpërdrejtë në rritjen e sëmundshmërisë ose paraqitjen e sëmundjeve të tjera. Periudha e dimrit është periudha kur sëmundjet respiratore janë më të shprehura, përkeqësimet e sëmundjeve kronikë si bronhiti, astma, pneumonitë për shkak të përdorimit të materieve të ndryshme për ngrohje që ndotin ambientin”, tha Zhuri.
Pulmologu Zhuri tutje theksoi se në Kosovë ka shumë ndotës, e që ndër burimet kryesore të ndotjes sipas tij janë Termocentralet Kosova a dhe B si dhe përdorimi i makinave.
“Në Kosovë ka shumë ndotës, është termocentrali Kosova A dhe B janë ndotësi më i madh, posaçërisht të prekur janë popullata e Obiliqit dhe Prishtinës. Ndikon edhe përdorimi i makinave prandaj kemi ndotje, veçanërisht në kohën e pikut të trafikut kur ka kolona të mëdha dhe të gjitha këto ndikojnë në shëndetin e njeriut”, potencoi pulmologu Zhuri
Gjatë Podcastit “Fol Gjelbër”, pulmologu Zhuri ka theksuar se ndikim të madh kanë edhe dimrat e butë, që përfshijnë reshjet e zbehura të borës dhe temperaturat më të larta se zakonisht gjatë kësaj periudhe që kontribuojnë në përkeqësimin e cilësisë së ajrit dhe ndikojnë në shëndetin respirator të qytetarëve.
Zhuri po ashtu ka sugjeruar qytetarët që të përdorin maska në kohën kur ka kolona të dendura në disa zona të qytetit, sidomos ata që vuajnë nga sëmundje kronike në mënyrë që të parandalojnë përkeqësimin e gjendjes shëndetësore.
Podcasti i plotë në Radio Dukagjini: https://www.youtube.com/watch?v=xNwEkja00CM
Na edicionet e kaluara të podcastit “Fol Gjelbër” kanë qenë të ftuar Hadise Kadiri nga Tesha Vesha; Nikki Muresli – DyVo; Sokol Havolli, Kryeshefi i Prishtina Parking dhe Taulant Hoxha nga Pylli i Arinjve.