Aktgjykimin dënues të 16 shtatorit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, Komuna e Deçanit po e konsideron shqetësues.
Përfaqësues të institucioneve komunale dhe subjekteve politike, të mbledhur në një takim urgjent, e cilësuan vendimin si të rëndë dhe shprehën kundërshtimin e tyre ndaj procesit gjyqësor, duke theksuar rolin e UÇK-së në luftën për çlirimin e Kosovës dhe sakrificën e popullit gjatë luftës.
Në mbledhje u bë thirrje që të vazhdojnë kërkesat për drejtësi për ish-krerët e UÇK-së.
Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, tha se zhvillimet pas luftës kanë ndikuar në krijimin e një perceptimi negativ ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Ne si popull ish dashtë me pas model ushtrinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për këto virtyte që i ka pas me vete, dhe çka kemi bo, kemi kriju një anë tjetër të medalies, ku në vitin 99 kemi nis me kriju epitete shumë të këqija për ta, pa e ditë ku kem me shku, pa e ditë që kemi me ardhë deri te kjo ditë, ku dënohen ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga një krijesë që është bo në Parlamentin e Republikës së Kosovës, që e ka kriju një Gjykatë Speciale e cila e dënon edhe Calin edhe tjetrin dhe i dënon edhe themeluesit e shtetit të Kosovës, që kanë pasur edhe poste”, u shpreh Ramosaj.
Ndërkaq, shefi i grupit të Aleancës në Kuvendin Komunal, Florim Mataj, e cilësoi aktgjykimin e 16 shtatorit si një goditje dhe tronditje për të gjithë qytetarët.
“Ajo që ndodhi më 16 shtator në Hagë ishte një goditje e rëndë dhe një tronditje e madhe për të gjithë ne, e mërkura e 16 shtatorit ishte një nga momentet më të vështira që kemi përjetuar që nga paslufta, dënimet e ish-krerëve të UÇK-së kanë ngritur edhe një pyetje thelbësore, si është e mundur që edhe pas 27 pas çlirimit të Kosovës ne ende përballemi me procese gjyqësore dhe burgime të njerëzve që luftuan për vendin e tyre, e për të drejtën elementare të një populli, lirinë” u shpreh Mataj.
Ndërsa, anëtari i PDK-së, Shkumbin Demaliaj, tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është emblema e kombit dhe kujtoi kontributin e zonës së Dukagjinit në luftën për çlirim. Ai përmendi edhe rënien e familjes Jashari, luftimet në Dukagjin dhe kontributin e familjes Haradinaj, ndërsa tha se pas përfundimit të luftës institucionet e Kosovës u ndërtuan edhe me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare.
“Rrnoftë UÇK-ja sepse është emblema më e ndritur e kombit tonë, me bashkëluftëtarët e nga zona e Dukagjinit, krismat e Prekazit, lufta, rënia e familjes Jashari, lufta e vazhdueshme, aksionet guerile në Dukagjin, menjëherë forca mbështetëse e luftës për liri ishte pikërisht nga Deçani, Dukagjini, në familjen Haradinaj, ne e përfunduam luftën, filluam ta ndërtojmë paqen, kishim pjesëmarrjen e bashkësisë ndërkombëtare në ndërtimin e shtetit tonë, kishim OKB-në këtu, KFOR-in që e kemi ende, të gjitha këto ne i përballuam edhe pse ne vetëm kishim pasur mundësi më herët që të dilnim e t’i ndërtonim institucionet”, tha ai.
Demaliaj po ashtu bëri thirrje që qytetarët të mos i ndalin kërkesat për drejtësi.
Anëtari i Kuvendit Komunal nga Lëvizja Vetëvendosje, Faton Selmanaj, tha se aktgjykimi nuk duhet të shihet vetëm si një proces gjyqësor ndaj individëve, por si një çështje që lidhet me mënyrën se si trajtohet lufta e Kosovës dhe sakrifica e popullit. Ai tha se Vetëvendosje e ka kundërshtuar Gjykatën Speciale, duke e cilësuar luftën e UÇK-së si luftë mbrojtëse dhe çlirimtare.
“Për ne ky nuk është vetëm një proces gjyqësor e as vetëm një çështje e emrave të individëve, është çështje e mënyrës se si trajtohet lufta e Kosovës, sakrifica e popullit tonë dhe e drejta e tij për liri e çlirim, si subjekt, që nga fillimi kemi mbajtur qëndrim të qartë parimor dhe të palëkundur, e kemi kundërshtuar këtë gjykatë sepse lufta e popullit shqiptar për liri dhe vetëvendosje dhe çlirimi nga regjimi serb ka qenë një luftë e drejtë mbrojtëse dhe çlirimtare, Kosova ka përjetuar krime të rënda, populli jonë është përballuar me vrasje, dëbime, ndërsa mijëra familje edhe sot jetojnë me plagët e luftës, UÇK nuk është kriju në Hagë, ajo ka lindur këtu në tokën e Kosovës, në gjirin e popullit të saj, në një kohë kur përballë dhunës dhe okupimit shqiptarët e Kosovës u ngritën për të mbrojtur jetën, familjen dhe vendin e tyre”, u shpreh Selmanaj.
Ndërkaq, nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ishte i pranishëm askush në këtë mbledhje./KP