Barrikada e vendosur pak metra larg shtëpisë, nuk i pengon këtij qytetari serb që të kryej punët e zakonshme.  Të qetë për situatën e brishtë të sigurisë në Zupq dhe në pjesë të tjera të veriut të Kosovës, u panë edhe këto dy gra.

Mirëpo, këtu situata nuk ishte e qetë gjatë gjithë ditës.  Ndaj një ekipi të Televizionit 7, u hodhën gurë nga disa persona të maskuar.

Persona me maska u panë edhe në barrikadën tjetër të Rudar të Zveçanit. Këtu për të premten është thirrur protestë nga një grup i serbëve.

Në Rudar gjatë gjithë kohës ka qëndruar ky njësit i KFOR-it. E Policia e Kosovës ka vazhduar patrullimet në disa pjesë të veriut.

Kroi i Vitakut, Lagja e Doktorëve e Kodra e Minatorëve ishin disa prej vendqëndrimeve.

Policia njoftoi gjatë ditës për disa prej aktiviteteve për të vendosur rend dhe ligj në veri të Kosovës.

“Në rrugën magjistrale Mitrovicë–Leposaviq, Policia e Kosovës ka vendosur pika kontrolli të automjeteve për të garantuar qarkullimin dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë pa dallim, si dhe parandalimin e veprimtarive kriminale dhe kontrabandës në përgjithësi”, ka deklaruar Policia e Kosovës.

Të mërkurën është shënuar dita e 12-të e vendosjes së barrikadave në rrugët që të dërgojnë në Jarinjë dhe Bërnjak.