Në emër të “kursimeve”, Qeveria në detyrë hoqi investime kapitale për pagesa të pensioneve
Vetëm një ditë para ekzekutimit të pagesave për pensionet bazë, Qeveria në detyrë ka siguruar buxhet për rritjet që i bëri muajin e shkuar. Kështu, në emër të kursimeve dhe ndarjeve buxhetore, Qeveria miratoi vendimin për ri-destnimin e mjeteve në vlerë të përgjithshme 42.7 milionë euro. Këtë vendim pushteti në detyrë e mori mbrëmë vonë […]
Vetëm një ditë para ekzekutimit të pagesave për pensionet bazë, Qeveria në detyrë ka siguruar buxhet për rritjet që i bëri muajin e shkuar.
Kështu, në emër të kursimeve dhe ndarjeve buxhetore, Qeveria miratoi vendimin për ri-destnimin e mjeteve në vlerë të përgjithshme 42.7 milionë euro.
Këtë vendim pushteti në detyrë e mori mbrëmë vonë në një mbledhje elektronike.
Nga ky total, rreth 24 milionë euro u ridrejtuan në kategori buxhetore që lidhen me pensionet, pagesat sociale dhe të ngjashme.
Vetëm në kodin buxhetor “pensione bazike – sociale” shkuan afër 16.5 milionë euro.
Ndërsa te pagesat “për komuna për rastet sociale” u transferuan 5.5 milionë euro.
Po ashtu, pati ndarje në shuma më të vogla edhe në gjashtë kode tjera buxhetore të lidhura me kategoritë e pensioneve dhe pagesave sociale, në një total afër 2 milionë euro.
Më së shumti para u morën nga kategoria e investimeve kapitale – ku si kursime u regjistruan 21.8 milionë euro, ndërsa pas ri-ndarjeve mbetën vetëm 10.8 milionë euro.
Në emër të kursimeve para u morën nga më shumë se 120 projekte, përfshirë të tilla të pa përfunduara më 2025, si: ndërtimi i qendrës korrektuese për femra në Lipjan, 3.5 milionë euro; renovimi i Teatrit Kombëtar mbi 2.2 milionë euro; ndërtimi i objektit “ATK-Doganë në Prishtinë” 1.3 milionë euro, etj.
Në total, rritjen më të madhe e patën subvencionet dhe transferet – ku hyjnë pensionet, kategoritë sociale dhe ngjashëm – që, nga 19.6 milionë euro sa ishte te në tabelën e kursimeve te ajo e ndarjeve shkoi në 28.4 milionë euro.
Më 31 Tetor, Qeveria në detyrë mori vendim për rritjen e pensioneve bazë nga 120 në 150 euro.
Ky vendim ishte marrë pa e pritur fillimin e vitit të ri, teksa projektbuxheti mbetet peng i zhvillimeve në Kuvend.















