Në fund të majit informacionet treguan për plane të Serbisë për përshkallëzim, thotë Osmani
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar për një përshkallëzim të mundshëm të planifikuar nga Serbia në drejtim të destabilizimit të situatës në Kosovë. Në një konferencë për media të mbajtur të enjten pasdite në Prishtinë, Osmani bëri të ditur se në fund të muajit maj ka pranuar informacione konkrete nga institucionet e […]
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar për një përshkallëzim të mundshëm të planifikuar nga Serbia në drejtim të destabilizimit të situatës në Kosovë.
Në një konferencë për media të mbajtur të enjten pasdite në Prishtinë, Osmani bëri të ditur se në fund të muajit maj ka pranuar informacione konkrete nga institucionet e sigurisë, të cilat flasin për lëvizje të dyshimta të Serbisë në afërsi të kufirit me Kosovën.
“Siç e dini gjatë vizitës në SHAB, kam deklaruar se Serbia ka pasur qëllim dhe ka ende qëllim që të destabilizojë situatën në të gjithë rajonin tonë dhe të përshkallëzojë situatën në Kosovë. Ky vlerësim është mbi bazën e informatave të vazhdueshme që ne si institucione i marrim nga institucionet e sigurisë të Kosovës. Më konkretisht ne fund të muajit maj, kemi marrë informacione të reja specifike lidhur me veprimet e Serbisë në kufi me Kosovën. Menjëherë pas marrjes së këtyre informacioneve kam pasur takime me institucionet e sigurisë të cilat më raportojnë.
Si presidente jam siguruar që çdo institucion në Kosovë si gjithmonë ka mobilizim e duhur për mbrojtjen e it. Po ashtu menjëherë kam ndarë këto informata me aleatët tonë të sigurisë, duke kërkuar mbështetjen e tyre për ta ndalur përshkallëzimin e planifikuar nga ana e Serbisë”, ka thënë Osmani.
Duke iu referuar deklaratave që kishte bërë më herët gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Osmani sqaroi se pohimet për ndërhyrjen e presidentit amerikan Donald Trump në parandalimin e një konflikti, i janë atribuua mënyrës së saj të të kuptuarit të bisedës, dhe se ato nuk përbëjnë një interpretim zyrtar të fjalëve të Trumpit.
“Është deklarata e datës 25 qershor. Në atë deklaratë thuhet ‘sepse ju e dini javët e fundit u kujdesëm për Indin e Pakistanin, Kosovën e Serbinë’. Jam pyetur për një deklaratë shumë konkrete të dhënë më 27 qershor 2025. Pyetja ka qenë për këtë dhe një tjetër nga Zyra Ovale, dhe aty thuhet ‘në muajt e fundit, kemi arritur paqe India e Pakistanin, Izraelit Iranit, Republikës të Kongos dhe Ruandës, dhe të tjera. Serbia ishin gati për të shkuar në luftë nëpërmjet një grupi e kemi ndalur një gjë të tillë’.
Unë kam thënë mënyra se si e kuptojmë ne, unë si presidente e Kosovës. Nëse qëndrimi i Amerikës është ndryshe, mund të iu drejtoheni. Ne e vlerësojmë rolin e presidentit Trump si paqebërës, si njeri që punon për paqe në botë, e vlerësojmë jashtëzakonisht shumë. Deklarata ime ka qenë në drejtim të vlerësimit të tij”, ka shtuar Osmani.
Presidentja gjithashtu hodhi poshtë deklaratat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili kishte pohuar se Serbia nuk është e interesuar për përshkallëzim.
“Prandaj gënjeshtrat e Serbisë se kinse ajo nuk ndërmerr hapa destabilizues janë pjesë e propagandës së tyre të vazhdueshme. Siç e dini deklarata të tilla kishin edhe pak para aktit të agresionit të shatorit 2023, por edhe në çdo akt tjetër agresioni, përfshirë sulmin në infrastrukturë kritike që kanë bërë kundër Kosovës… i sugjeroj qytetarët e Kosovës nuk ka arsye as për shqetësim e as për panik…”, ka thënë Osmani.















