Në gjykimin ndaj Salih Mustafës, dëshmon Ademi për veprimtarinë e Kryqit të Kuq të Kosovës

Procesi gjyqësor ndaj Mustafës, përfundon dëgjimi i dëshmitarit të dytë të  mbrojtjes - Njeshi

Pas përfundimit të dhënies së dëshmisë nga dëshmitari i parë i mbrojtjes, Brahim Mehmetaj, të hënën, në gjykimin ndaj Salih Mustafës në Hagë, është dëgjuar dëshmitari i dytë i mbrojtjes, Ahmet Ademi.

Ai është përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Mustafës, ku ka shpjeguar veprimtarinë e Kryqit të Kuq të Kosovës gjatë viteve 1997 – 1999.

Dëshmitari Ademi ka deklaruar se nga mosha 28 vjeçare e deri në vitin 1997 kishte punuar në Kryqin e Kuq të Kosovës.

Gjatë vitit 1997, ai tha se punëtorët shqiptarë ishin larguar prej punës nga serbët, me ç’rast, të njëjtit, kishin vepruar ilegalisht duke hapur zyrë të Kryqit të Kuq të Kosovës.

“Kryqi i Kuq i Serbisë na dëboi nga puna më 1997, për arsye se Kryqi i Kuq nuk donte të dinim ne, shqiptarët, çka po bëjnë ata, çka po veprojnë ata, dhe për këtë arsye na kanë larguar nga puna. Në vitin 1997, me profesorin Isuf Dedushaj, dhe me anëtarët e tjerë kemi hapur një zyre të Kryqit të Kuq, ilegalisht, e cila ka vepruar në Prishtinë dhe të themi në mbarë Kosovën”, deklaron Ademi.

Ai shtoi se këtë zyrë e kishin hapur në lagjen “Dardania”, e cila kishte ekzistuar deri në vitin 1998, ku kishte punuar edhe mjeku i ndjerë, Shpëtim Robaj.

Ai u shpreh se pas vdekjes së Shpëtim Robaj, zyra në Dardani, për shkak të hapësirës u shpartallua, dhe janë detyruar të hapin zyrën e dytë në një shtëpi private të një qytetari, rrugës për Gërmi.

Gjithashtu, shtoi se Kryqi i Kuq Serb vazhdonte të punonte , mirëpo ata e kishin parë të nevojshme të krijohej edhe Kryqi i Kuq i Kosovës, edhe pse me një staf të reduktuar, me qëllim të daljes në ndihmë popullit shqiptar, pasi të njëjtit, nuk kishin mundësi të furnizoheshin siç duhej me ndihma.

‘’Nuk kanë mundur të furnizoheshin siç duhet, e kam fjalën për gjëra ushqimore, shtresa, mbulesa, qumësht për fëmijë, e gjëra të tjera elementare, për të vetmen arsye se serbët i urrenin popullatën shqiptare’’, është shprehur Ademi.

Dëshmitari tha se pajisjet mjekësore i kishin marrë përmes donacioneve nga njerëz të ndryshëm, nga fondi ‘’Vendlindja thërret’’ dhe një barnatore që e kishin afër zyrës. Ndërsa, sa i përket shpërndarjes, kishin qenë 7 persona, të cilët ndihmat i kishin shpërndarë në zona të ndryshme dhe në atë të Drenicës, Llapit, Gollakut dhe në Gjilan.

“Shpërndarjen e kemi bërë shumë me vështirësi, sepse gjatë viteve 1998 dhe 1999, e tërë kjo shpërndarje është bërë ilegale, pra, fshehurazi nga ushtria serbe, meqenëse të njëjtit, do t’i maltretonin po t’i kapnin. Disa i çonim ne, disa vinin te ne në zyrë, afër shkonim me automjete, ndërsa pjesën tjetër shkonim në këmbë me çanta në shpinë, duke i dorëzuar nëpër fshatra. Ka pasur persona të caktuar të cilët kanë ardhur te ne, i kanë marrë materialet dhe i kanë dërguar ato nëpër fshatra, qytete”, tha ai.

Të gjitha lajmet nga Ahmet Ademi

Sipas dëshmitarit, kjo situatë ishte vështirësuar edhe më shumë gjatë sulmeve ajrore nga NATO-ja, pasi policia serbe ishte bërë më e ashpër, dhe detyroheshin që shpërndarjen e materialeve ta bënin me anë të çantave që i mbanin në shpinë e që peshonin rreth 30 – 40 kilogramë.

Gjatë kësaj kohe, dëshmitari ka shpjeguar se të njëjtit, kishin pasur afër zyrës një pikë kontrolli të policisë, andaj qytetarët nuk shkonin më te kjo zyrë dhe se edhe vetë ata, për të shkuar në zyrë, duhej të kalonin përmes oborreve të shtëpive, me qëllim të shmangies së kësaj pike.

“Mua personalisht më ka ndodhur në fshatin Shalë, në komunën e Drenasit, duke bartur çantën me afër 40 kg , kodrës teposhtë, na kanë parë forcat serbe. Në ato momente, jam rrëzuar dhe e kam thyer këmbën, dhe ashtu zvarrë diku rreth 15 minuta, kam shkuar deri poshtë në një shtëpi private, në të cilën edhe jam pozicionuar ”, tha ai.

Dëshmitari Ademi theksoi se dërgimin e pajisjeve e kanë bërë gjatë ditës, por edhe gjatë natës.

Ndër të tjerash, në dëshmi është përmendur edhe BIA, por Ademi ka deklaruar se për të nuk dinte asgjë, por kishte dëgjuar nga qytetarët, të cilët shkonin të merrnin ndihma në zyrat e Kryqit të Kuq.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor 2020.

Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jondërkombëtar në Kosovë.

Shija e redaktorit

“Ëndrra vazhdon…”, Peja nderon Arlind Gjikollin – Gjikla, artistin dhe...

“Ëndrra vazhdon…”, kështu u tha sot në qytetin e Pejës në dyvjetorin e vdekjes së ish-drejtorit menaxhues të Telegrafit, artistit Arlind Gjikolli – Gjikla,...

S’ka shpërthim në Mitrovicë, Policia: Ka pasur hedhje të fishekzjarreve...

Para disa minutash një shpërthim i zhurmshëm u dëgjua në Mitrovicë. Shpërthimi erdhi si pasojë e hedhjes së mjeteve piroteknike në jug të qytetit....

FSK aktivizohet për ruajtjen e infrastrukturës kritike në vend

Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se një nga vendim e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës që është mbajtur në orët...

Të fundit nga rubrika