Një shtetas kosovar, i dënuar për vepra penale që lidhen me narkotikët, është arrestuar në Shqipëri me qëllim ekstradimi drejt Kosovës.
Bëhet fjalë për A. S., 34 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet kosovare.
Sipas njoftimit zyrtar, arrestimi është realizuar në Elbasan nga strukturat vendore të policisë, pas kërkesës së autoriteteve të Kosova.
I arrestuari rezulton i dënuar nga Gjykata Themelore e Pejës me masën e sigurisë “arrest në burg” për veprat penale “Kultivimi i narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Autoritetet bëjnë të ditur se 34-vjeçari ishte lokalizuar dhe ndaluar në Cërrik, ndërsa procedurat për kthimin e tij në Kosovë janë vënë menjëherë në lëvizje.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet kosovare, po kryen veprimet procedurale për ekstradimin.
Rasti konfirmon bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe veçanërisht ndaj veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.