Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar seancën e shqyrtimit fillestar për 21 të akuzuar lidhur me Masakrën e Reçakut, të cilët përballen me akuza për krime lufte kundër popullsisë civile.
Sipas njoftimit, gjykimi i cili nis më 20 korrik do të zhvillohet në mungesë ndaj të pandehurve, pasi ata nuk kanë qenë të arritshëm deri në ngritjen e aktakuzës.
Mes të akuzuarve janë: Obrad Stevanoviq, Radomir Markoviq, Krsmam Jeliq, Goran Radosavljeviq, Zhivko Trajkoviq, Bogoljub Janiçeviq, Milan Lekiq, Radomir Miliq, Dragan Djorgoviq, Branko Mladenoviq, Dragan Jasoviq, Momçilo Sparavalo, Darko Amanoviq, Srboljub Vujinoviq, Bozhidar Marinkoviq, Zoran Stanojeviq, Milan Josanoviq, Goran Petkoviq, Dragoslav Nikoliq, Çedomir Aksiq dhe Zvonimir Janiçijeviq.
Gjykata ka bërë thirrje që të akuzuarit të paraqiten dhe t’i dorëzohen organeve të drejtësisë në Kosovë.
Po ashtu, u është bërë apel qytetarëve që posedojnë informacione për vendndodhjen e tyre që t’i njoftojnë Policinë e Kosovës ose institucionet kompetente.
“Për këtë arsye, përmes këtij njoftimi ju bëhet thirrje të pandehurve, të lartcekur që të paraqiten dhe të dorëzohen para organeve të ndjekjes së Republikës së Kosovës. Gjithashtu, u bëhet thirrje të gjithë personave që posedojnë informacione relevante lidhur me vendndodhjen e të akuzuarve, që t’i komunikojnë këto informacione Policisë së Kosovës apo organeve tjera kompetente”, thuhet në njoftim.