Në mbyllje të vizitës shtetërore në Zvicër, presidentja Vjosa Osmani u takua me mërgatën në një mbledhje të organizuar në Gjenevë.

Krahas falënderimeve për mërgatën, me theks kontributin e tyre në ndërtimin dhe zhvillimin e shtetit, si dhe ruajtjen e gjuhës shqipe, presidentja u tha atyre se janë shtylla më e fortë kombit.

“E them me mirënjohje të thellë se pa mërgatën Kosova kurrë nuk do të ishte aty ku është sot, as nuk do të ishte e lirë, as e pavarur, as sovrane, e as e zhvilluar, e as demokratike”, tha presidentja Osmani.

Teksa përmendi roli dhe ndihmës nga diaspora, Ramadan Rrahmani nga shoqata “Smira” u shpreh i lumtur për vizitën.

“Shprehim mirënjohjen për këtë vizitë që nuk është vetëm simbolike, por është një dëshmi e vlerësimit për kontributin e mërgatës, për sakrificën e saj dhe përkushtimin e palëkundur ndaj atdheut”, theksoi Rrahmani.

Krahas falënderimeve, kryetari i komunitetit shqiptar në Gjenevë Nasuf Nuhiu kërkoi mbështetje institucionale nga presidentja me fokus te brezat e ri.

“Edhe ne kemi nevoja të shumta, ndër të cilat dua t’i veçoj: mësimin dhe ruajtjen e gjuhës shqipe, shkollimin në nivele më të lartë, ruajtjen dhe promvimin e veçorive tona kulturore, angazhimi i rinisë në aktivitete shoqërore, sportive, kujdesi për pensionistët dhe përgatitja për kalimin e përgjegjësive në gjeneratat e reja”, tha Nuhiu.

Në kuadër të vizitës dy ditore shtetërore në Zvicër, presidentja Osmani u prit me nderime ushtarake në Bern, ndërsa nga St. Galleni u bëri thirrje bizneseve zvicerane të investojnë në Kosovë.