Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se nga e mërkura pecetat higjienike në këtë dikaster do të jenë falas për gratë që punojnë aty.

Haxhiu nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se kjo është domosdoshmëri dhe jo luks.

“E drejta për t’u pajisur me peceta është themelore për të gjitha gratë. Është një domosdoshmëri dhe jo një luks. Në Ministrinë e Drejtësisë pecetat higjienike do të jenë falas për të gjitha punonjëset femra të Ministrisë”, ka shkruar Haxhiu.

Një praktikë e tillë, siç ka thënë Haxhiu, mbetet e vlefshme dhe e rëndësishme në të gjitha institucionet publike dhe private.

“Praktika të tilla duhet të normalizohen duke thyer tabutë që ekzistojnë në shoqërinë tonë”, ka vijuar ajo.

Ndërsa, Qendra për Informim, Kritikë dhe Veprim (QIKA), të martën e 14 shkurtit u ka dërguar deputetëve të Kuvendit të Kosovës një pecetë menstruale dhe një letër ftese për t’iu bashkuar nismës kundër taksës prej 18 për qind për produktet menstruale.