U rrëmbyen në shtëpi, nëpër rrugë të qendrës e fshatra përreth Mitrovicës.

Pasi i ekzekutuan 28 civilë, forcat serbe tentuan ta fshehin krimin.

Trupat u sollën në këtë fushë në fshatin Vidimriq të Mitrovicës Veriore.

Në fushën shumë afër vendbanimit “Lugina e Diellit”, të mërkurën nisën gërmimet për të gjetur eshtrat e tre martirëve të fundit.

“Në prill të vitit 99, diku 15-17 prill forcat serbe kanë groposur po më vjen këtë shprehje kanë varrosur eshtrat ose kufomat e 28 viktimave, të vrarë, të rrëmbyer, të zhdukur kryesisht në regjionin e Mitrovicës”, ka deklaruar Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit.

Gërmimet rezultuan me gjetjen dhe zhvarrosjen e 3 viktima të luftës, që vazhdojnë të jenë në listën e personave të zhdukur. Këto të dhëna do të saktësohen pasi të përfundojnë ekzaminimet e nevojshme mjekoligjore.

Në këtë zonë e po ashtu nëpër qytete tjera ditëve në vazhdim do të ketë gërmime në kërkim të personave të zhdukur.

“Kemi edhe një lokacion tjetër, por që nuk lidhet më këtë ngjarje është lokacioni në Suhodoll ku jemi duke e kërkuar një individ”, ka deklaruar Ditor Haliti, U.D. i drejtorit të IML-së.

“Gërmimet në lagjen “Mat” kanë përfunduar kushtimisht meqë do të kemi sërish, me gjetjen dhe zhvarrozjen minimum të një personi, po ashtu në lagjen “Arbëria” në Prishtinë janë gjetur-zhvarrosur mbetjet mortore të një personi apo një individi”, ka thënë ndër të tjera Gara.

Në ditët e para të pasluftës ekipet ndërkombëtare në mbështetje të Tribunalit të Hagës kanë zhvarrosur mbetjet mortore të 28 viktimave, janë identifikuar 18 prej tyre, ndërsa 10 ishin rikthyer në lokacion. Më 2002 nga ana e administratës së UNMIK-ut, ishin zhvarrosur edhe 7 civilët e vrarë dhe groposur në këtë varrezë.

Pos në këto lagje kërkimet do të vazhdojnë edhe në Kamenicë, Podujevë, dhe në fshatin Bizhtazhin të Gjakovës. Vetëm në Mitrovicë janë vrarë 594 persona, prej të cilëve 66 dëshmorë dhe 428 civilë. Pas përfundimit të luftës të pagjetur ishin 337 persona, ndërsa tash Mitrovica kërkon eshtrat e 108 personave.